Me ngjarjet e vendosura në një manastir murgeshash, drama “Agnesa e Zotit” kërkon të përcjellë mesazhe të forta për shoqërinë.

Tre aktoret Laura Nezha, në rolin e Agnesës, Eni Jani dhe Violeta Trebicka zbritën mbrëmjen e së mërkurës në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” për t’i përcjellë publikut durrsak emocione të forta përmes një historie dramatike, që zhvillohet mes mureve të një manastiri murgeshash.

Lindja e një fëmije nga murgesha Agnesa dhe vdekja e tij shërben për ngjizjen e të gjithë ngjarjes, që vërtitet rreth hetimeve për të hedhur më shumë dritë mbi këtë ndodhi të pazakontë brenda një vendi të mbyllur e të dedikuar besimit në Zot.

Megjithëse vepra është shkruar në SHBA 45 vite më parë, regjisorin Kiço Londo e kanë ngacmuar pikërisht kriza që ka pushtuar institucionin e familjes, mungesa e përgjegjësive në çift dhe sidomos nënës, si dhe keqedukimi i fëmijëve për ta sjellë këtë dramë për publikun shqiptar.

“Ajo që më ngacmon është familja dhe ajo që është goditur shumë këto vite në Shqipëri është familja dhe fëmijët. Më shqetëson keqrritja e fëmijëve. Jemi një shoqëri që e kemi anashkaluar marrëdhënien me fëmijët dhe edukimin. Më dhemb gjendja e shkollës. Mungesa e ambienteve për të rritur fëmijër, që përfundojnë në një manastir të madh. Ndonjëherë, shoqëria, nuk e kupton që është në një manastir të madh. Kjo është ajo që më ngacmon”.

Ndërsa protagonistja Laura Nezha thotë se drama do ta ftojë publikun të reflektojë.

“Unë besoj se vepra premton tronditje, sepse edhe në të gjitha vendet e botës që është shfaqur e tillë ka qenë, e fortë dhe me reflektime të forta”.

Mes dinamikës së situatave që krijohen gjatë shtjellimit të ngjarjeve të dramës, 3 protagonistet mbajnë të mbërthyer publikun në sallë, ndërkohë që pyetjet që shtrohen që në fillim të veprës, si: Kush është babai i fëmij»s?; Pse vdiq foshnja? etj jo të gjitha marrin përgjigje.

Për aktoren Nezha, interpretimi i rolit të Agnesës ka qenë një sfidë më vete.

“Nuk e di a kam lënë dokumentar pa parë, anembanë globit, por edhe tek ne në lidhje me materialet që janë bërë për manastiret, murgeshat, kodet, rregullat, gjuhën e tyre, plastikën trupore. Është një botë krejt tjetër që ne njerëzit që nuk jemi të fushës së besimit na duhet që ta zbulojmë. Më është dashur të bëj një kërkim shumëplanësh, jo vetëm atë që teksti kërkon.”

Drama “Agnesa e Zotit” do të shfaqet për publikun durrsak edhe në datat 17 dhe 18 tetor.

M.B.