DURRËS, 15 tetor 2014 –  Ansi Agolli rrëfen atë çfarë ka ndodhur në dhomat e zhvjeshjes së stadiumit të Partizanit të Beogradit pasi u detyruan të rifuten pas dhunës së plasur në fushën e lojës. Sipas tij, autoritetet serbe u munduan ti inkriminonin duke tentuar edhe të bënin ndonjë "hile" pasi u çmendën kur panë mjetin fluturues mbi stadium. "Donin të na e punonin, por ne u treguam më të zgjuar. Kur lojtarët tanë ishin në dhomat e zhveshjes, serbët ishin të çmendur me mjetin fluturues që u ngrit mbi stadium, ndaj ata do të kenë menduar ndonjë hile. Kanë menduar që për të provokuar të gjithë atë që ndodhi, këtë mjet e kishin ngritur në stadium anëtarët e delegacionit shqiptar. Gjë e padëgjuar ndonjëherë. Ata futën katër pjestarë civilë të shërbimit sekret për të kontrolluar dhomën tone të zhveshjes. Ndoshta kishin dhe qëllim tjetër, donin të na fusnin ndonjë paisje të ngjashme në mjediset tona, për të ngritur pastaj alibinë se i gjithë provokimi ishte projektuar nga ne. Por, ne i bllokuam. Si me komandë ndezëm të gjithë smartfonët tanë dhe filluam t’i filmonim. Ata u gjendën të përgjuar dhe nëse kanë patur ndonjë qëllim të keq me prapamendim, nuk arritën ta bënin", është shprehur mbrojtësi i Kombëtares Ansi Agolli.