21 nëntor 2014 – Ansi Agolli do ta mbajë mend gjatë mbrëmjen e 18 nëntorit në Genoa, kur Kombëtarja shqiptare zhvilloi miqësoren historike me Italinë. Mbrojtësi i majtë thotë se në momentin që ka parë stadiumin "Luigi Ferraris" të tejmbushur me tifozë kuqezinj, i janë "prerë" këmbët.
"Emocione të papara, të pa përjetuara ndonjëherë. Ishte një stadium i veshur i gjithi i kuq. Sinqerisht, nuk kam parë ndonjëherë kaq shumë shqiptarë. Lexova se kanë qenë 21 mijë, por mua nga fusha më dukeshin 30 mijë. Nuk kam fjalë ta përshkruaj momentin kur dolëm në fushë, diçka e paparë", ka deklaruar ai. "Më duhet të pranoj se nuk kam qenë në gjendjen time më të mirë. Nuk e di çfarë pata, sikur m’u lidhën këmbët në fushë. E përsëris, ishte një ndjesi shumë e veçantë", tregon Agolli.
Kurse, në minutën e 75-të të miqësores Itali-Shqipëri, një tifoz shqiptar, i veshur kuqezi, u fut në fushë dhe pasi përqafoi fillimisht Herolind Shalën, kërkoi me ngulm të takonte edhe Ansi Agollin. Ky i fundit ia plotësoi dëshirën, ndërsa më pas rojet e sigurisë së stadiumit e nxorën nga fusha. "Tifozi ishte shumë i ekzaltuar dhe dukej që e kishte tepruar pak me pijen. Në atë moment, mbante era alkool. Më përqafoi fort dhe më thoshte: 'Jeni si shpirt, ju duam shumë'. Më pas, u acarua disi, pasi erdhën edhe rojet e sigurisë, të cilët po insistonin për ta nxjerrë jashtë fushës, duke e kapur prej krahu", rrëfen Agolli. "I fola menjëherë dhe i thashë që të dilte, sepse nuk kishte më kuptim të qëndronte në fushë. Menjëherë u qetësua dhe doli i shoqëruar nga rojet. Këtyre të fundit u kërkova që të silleshin mirë, pasi tifozi nuk krijoi asnjë moment të pakëndshëm", vijon Agolli, i cili bashkë me Berishën, Canën, Lilën, Lenjanin dhe Mavrajn u bënë protagonistë në takimet që patën në fushë me tre tifozët shqiptarë, të cilët kaluan rrethimin e brendshëm të stadiumit.





