Kam një kujtim të veçantë në Durrës me Edi Ramën, kur ai konkuronte me Fatos Nanon. Në një konferencë të PS-së në Durrës të gjithë më thoshin që të mos ia jepja fjalën Edi Ramës. Unë guxova që t´ia jap fjalën, pavarësisht që shumica nuk e donte këtë. Kujtoj se në asnjë rreth tjetër ku ishin zhvilluar konferencat, nuk ia kishin dhënë fjalën

Në rrëfimin e tij për kohën kur u krijua dega e Partisë Socialiste në qytetin e Durrësit dhe raportet aktuale në gjirin e forcës më të madhe opozitare, ish sekretari organizativ i kësaj dege, Edmond Agolli, vë theksin në faktin se,- “dikur njerëzit zgjidheshin në bazë të kontributit, moralit dhe profesionalizimit në fushën përkatëse. Për aktualitetin mund të them me rezerva se ka më shumë interesa. Dikur konkuronin 3-4 veta për një post dhe fitonte ai që merrte vota më shumë. Për fat të keq ka disa kohë që te PS-ja filloi të prishet kjo frymë, veçanërisht me votimet në forume, ku filluan grupet”. Gjatë tregimit të tij për kohën kur ka kontribuar për zhvillimin e degës së selisë rozë, Agolli nuk harron të përmendë një fakt interesant, atë moment kur i dha fjalën liderit aktual, Edi Rama, i cili në ato vite nuk dëshirohej e nuk përfillej nga strukturat e partisë në rrethet e vendit.

Cilat ishin rrethanat në të cilat u krijua dega e PS-së së Durrësit?

Krijimi i degës së PS-së përkon në fakt me periudhën pas Kongresit të 10-të PP-së, ku u bë ndarja mes Partisë së Punës dhe Partisë Socialiste. Ai ishte Kongresi ku u ndërmor kthesa drejt zhvillimeve demokratike, ku lindi një parti me program të ndryshëm nga Partia e Punës. Në fakt ishin momente sa shpresëdhënëse, aq dhe të vështira. Ishte urrejtja e krijuar në vite për sistemin, që u kthye në mllef ndaj njeri- tjetrit. Duke u nisur nga urrejtja për sistemin, goditej shoku, i afërmi. Shokët e afërt që kaloje ditën, pa të keq të thoshin :“Ik more komunist!“. Unë i kaloja me humor këto skena, duke ju kujtuar se format e edukimit i kishim bërë së bashku me ata që hiqeshin si demokratë. Më kujtohet se para themelimit të PS-së u themelua dega e Partisë Demokratike. Më kujtohet si sot një njoftim në hyrje të teatrit “Aleksandër Moisiu“, ku thuhej se do të formohej dega e PD-së. Këto ishin dhe të parat urdhra, ku partitë ndërhynin në institucione. Kur u afrova te kolegët e mi të teatrit, të pranishmit reaguan duke më kujtuar se unë nuk kisha punë atje, pasi isha socialist i thekur. Shprehja që përdorën ishte: “Ik o komunist, nuk ke punë këtu!“. Me qetësi ju thashë: “Prandaj kam ardhur.

Ne jemi partia mëmë dhe këtu po lindin fëmijët tanë që duhet të jenë nën kujdesin tonë“. Qeshën të gjithë dhe më pas më lanë të qëndroja. Do të kujtoja dhe një moment tjetër të mëvonshëm ku në një takim të organizuar nga PS-ja foli dhe aktori Kastriot Ahmeti, i cili u nda nga jeta në kulmin e karrierës artistike teatrore. Të nesërmen u zhvillua një takim nga Prefektura ku aktori u kërcënua me largim nga puna. Në fakt, indirekt, qëllimi ishte largimi im. Duke u rikthyer te themelimi i degës së PS-së, kujtoj se takimi i parë për krijimin e degës është bërë te ish-Komiteti i Partisë. U mblodhëm te zyrat e ish-Sekretarit të Parë. Si zakonisht shkova 10 minuta para. Ishte një moment i vështirë, pasi po formonim një parti që në një farë mënyre do të rivalizonte Partinë Demokratike. Unë nuk do të përmend emra, pasi kam merak se harroj ndonjë. Në atë takim dhe anëtarë të Partisë së Punës duhet të prononcoheshin nëse do të kalonin te PS-ja apo do të qëndronin te PP-ja. Qëllimi kryesor ishte që të mblidhnim njerëz që na mbështesnin, për të pasur një forcë politike aktive. Kjo ishte dhe vështirësia kryesore në takim. Në atë takim ishin mbledhur njerëz të nderuar, me vlera, të cilët kishin emër në qytet.

Ky fakt do të ndikonte më pas në vazhdimësinë e jetës së PS-së. Të mendoje në atë periudhë se pas disa vitesh do të vinte në pushtet PS-ja ishte çmenduri. Pavarësisht nga kjo, nisi organizimi i strukturave në bazë të modelit që kishte dikur dhe Partia e Punës, me organizata, me lagje, zona etj. Ky lloj organizimi na rezultoi efikas, pasi njerëzit grumbulloheshin, paguanin kuotimin, merrnin pjesë në mbledhje, diskutonin, jepnin mendime etj. Kjo i bënte që të ishin më të afërt me partinë dhe ishin pjesë e gjykimit. Në fakt sot nuk ndodh kështu te PS-ja. Sot, duke patur një Komitet Drejtues të madh, ku të gjithë janë kryetarë organizatash, anëtari i thjeshtë shikon se është i përfaqësuar nga një njeri dhe nuk është i përfaqësuar vetë në gjykimin e problemeve. Në këtë kontekst, kryetari i organizatës nuk mund të takojë të gjithë anëtarët për të komunikuar. Dikur kishte vullnetarizëm dhe idealizëm, sot këto dy terma sikur janë zvetënuar. Dikur njerëzit zgjidheshin në bazë të kontributit, moralit dhe profesionalizimit në fushën përkatëse.

Për aktualitetin mund të them me rezerva se ka më shumë interesa. Dikur konkuronin 3-4 veta për një post dhe fitonte ai që merrte vota më shumë. Për fat të keq, ka disa kohë që te PS-ja filloi të prishet kjo frymë, veçanërisht me votimet në forume ku filluan grupet. Dikur punuam së bashku dhe më pas nisëm të luftojmë kundër njeri -tjetrit. Dikur p.sh. kandidatët për deputet shoshiteshin në disa sita si komiteti, kryesia etj, ndërsa sot, nëse kryetari ta vë emrin në listë, bëhesh deputet dhe nëse nuk e di se ç‘është PS-ja. Në strukturat e PS-së kam qenë sekretar organizativ i partisë për rrethin që në vitin 1998 deri në vitin 2007. Kam qenë anëtar i Këshillit Bashkiak të qytetit, për dy mandate kam qenë kryetar i Këshillit Bashkiak dhe anëtar i Këshillit të Qarkut.

Cili ka qenë kontributi juaj personal në strukturat e PS-së në Durrës?

Personalisht, pas vitit 2005 jam larguar nga PS-ja duke dhënë dorëheqje nga detyra e sekretarit organizativ të rrethit pas 10 vjetësh. Dorëheqja erdhi pas humbjes së fushatës së vitit 2005. Më pas, në një votim për Komitetin Drejtues pashë që të rinjtë që ne i futëm në PS u ngritën kundër nesh, me frymën e re që proklamonin. Ky ishte një negativitet që hyri në parti. Pas kësaj ndodhi që mbeta dhe pa punë. Nuk e përfytyroja një gjë të tillë. Kujtoj se bashkinë e Durrësit në atë kohë e kishte PS-ja. Më pas nisa punë në Qark, deri në momentin që e mori PD-ja. Pas këtij momenti dhashë dorëheqjen, ndonëse ç‘është e vërteta ishte kryetari i Qarkut, Seid Kërtusha, që më tha të mos largohem nga puna. Po kështu dhe bashkëshortja ime Linda Agolli (Shani), ka qenë ndër kontribueset e rëndësishme në PS. Ajo ka qenë delegate në Kongresin që është ndarë PP-ja nga PS-ja. Kujtoj se në fakt duhej të shkonim të dy, por thanë që nuk mund të shkojnë dy nga një familje, pavarësisht se secili kishte kontributin e vet. Në këto kushte unë u tërhoqa dhe shkoi Linda. Me formimin e strukturave të PS-së të rrethit të Durrësit, ajo ka qenë e para femër përfaqësuese. Lindën, sa herë ka ardhur PD-ja në pushtet, e kanë larguar nga puna. Kujtoj se i ka fituar të gjitha gjyqet për largimin nga puna. Përsa i përket këtyre largimeve, mendoj se veprime të kësaj natyre e kanë shkatërruar administratën shtëtërore.

Cili është kënvështrimi juaj në lidhje me raportet mes Fatos Nanos dhe Edi Ramës?

Kujtoj se pas largimit të Fatos Nanos ishin dy platforma në Kongresin e PS-së. Njëra platformë përfaqësohej nga Fatos Nano dhe tjetra nga Rexhep Mejdani. Të gjithë delegatët ishin në një monolog të vështirë me vetveten, sepse ishin përballë dy figura dinjitoze për të qenë kryetarë të PS-së. Ramën e avantazhoi fakti se opinioni i përgjithshëm mendonte se vetëm ai mund ta përballonte furinë e Sali Berishës. Kam një kujtim të veçantë në Durrës me Edi Ramën, në një kandidim të mëparshëm, kur ai konkuronte me Fatos Nanon. Në një konferencë të PS-së në Durrës isha drejtues i seancës. Të gjithë më thoshin që të mos ia jepja fjalën Edi Ramës. Unë guxova që t´ia jap fjalën, pavarësisht që shumica nuk e donte këtë. Kujtoj se në asnjë rreth tjetër, ku ishin zhvilluar konferencat, nuk ja kishin dhënë fjalën.

A mendoni se Fatos Nano është një figurë e përshtatshme për President?

Fatos Nano ka vlera të jashtëzakonshme për krijimin dhe transformimin e PS-së. Fatos Nano dhe nga burgu arriti të drejtojë PS-në. Fatos Nano është një intelektual i thekur. Ai është një profesionist dhe është shumë e vështirë që të bëjë gabim pa dashje. Në fakt ka bërë gabime me dashje. Me deklaratat e tij ka krijuar një farë distancimi me një pjesë të PS-së. Përsa i përket vetëkandidimit të tij për President mund të them se nëse ka njeri që mund ta bëjë më mirë detyrën e Presidentit, ai është Fatos Nano. Nano është një kandidat që ka një platformë dhe nuk e besoj se ndonjë kandidat tjetër do ta bëjë një gjë të tillë. Nano e mësoi politikën shqiptare se mund të ketë edhe dorëheqje. Kujtoj dorëheqjen e dhimbshme të vitit 2005, kur i dorëzoi vetë çelësat. Ai është një ekspert dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe mund të ndikojë pozitivisht në proçeset integruese.

Me çfarë merreni aktualisht përsa i përket krijimtarisë artistike?

Kam shkruar një komedi që quhet “Kandidati“. Kjo komedi prezanton të gjitha të fshehtat që unë di nga kandidimet në fushatat elektorale. Për të kuptuar filozofinë e komedisë do të citoja një pjesë fare të vogël të saj: “Në politikë gënjeshtra është art dhe nëse bind të tjerët ke fituar. Në do të bëhesh qesharak, thuaj që jam i ndershëm“.

Kohët e fundit kam shkruar një vëllim me poezi, për njerëz të afërt si nëna, babai, për dhimbjet, mallin dhe dashurinë. Libri titullohet “Një fije bari“. Në fund të fundit kaq është njeriu, një fije bari.