13 qershor 2015 – Gjykata e Tiranës ka vendosur që një administrator shtetëror të administrojë në masën 60 për qind televizionin “Agon Channel”, pas sekuestrimit të tij për shkak të akuzave për pastrim parash.

Ky vendim është marrë pasi aksioneri kryesor i televizionit, biznesmeni italian Francesco Becchetti, po hetohet si i përfshirë në një skemë pastrimi parash, bashkë me nënën e tij, Liliana Condomitti dhe disa persona të tjerë.

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara, ka caktuar një administrator, emri i të cilit nuk bëhet me dije, që brenda afatit ligjor, në bashkëpunim me një përmbarues gjyqësor, duhet të marrë në administrim 60 për qind të të gjitha aseteve të televizionit.

Nuk pritet që televizioni të ndërpresë transmetimet, pasi aksione të tjera të tij janë në pronësi edhe të personave që nuk janë nën hetim. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/