Tiranë, 18 mars 2013– Personat që dhunojnë apo përdhunojnë fëmijë kanë personalitet të dyfishtë. Sipas psikiatres Arjana Reli, në shumicën e rasteve pedofilët në fëmijërinë e tyre kanë qenë viktima të dhunës fizike apo asaj seksuale. Kur ata rriten – në formë hakmarrjeje – kryejnë akte të ngjashme me persona më të dobët se ta, e në këtë rast me fëmijët.

"këto lloj veprimesh e kanë në shumicën e rasteve burimin tek fëmijëria. Këto persona kanë jetuar në familje ku dhuna o shihet, o përjetohet, ose provohet. Dhe kështu transferohet në një moshë madhore për tu sjellë dhe ai në mënyrë agresive të dhunshëm, dhe duke devijuar nga ana tjetër të gjithë sjelljen e tij duke u bërë më shumë se agresiv", thotë psikiatre Arjana Reli.

Ndërsa për rastet e fëmijëve të abuzuar, psikiatrit thonë se ata duhet të trajtohen patjetër nga grupe multidisiplinare. Ata rrezikojnë të mos rriten të shëndetshëm psikologjikisht, ndërsa i kanë të gjitha gjasat që në moshë madhore të kthehen nga viktima në dhunues.

"Një fëmijë i abuzuar pa diskutim që fillon të shfaqë një sjellje komplet ndryshe nga e mëparshmja, frikë, panik, ankth, fillon të urinojë natën. Ndërkohë që mund të ketë sjellje të tjera agresive, apo të papërshtatshme me moralin e shoqërisë. Këto janë pasojat afatshkurtra, për të përmendur pastaj pasojat afatgjata, që jo vetëm mund të kthehet dhe ai në një përdhunues, por dhe mund të bëjë çrregullime të mirëfillta mendore", vijon Reli.

Dhuna fizike dhe psikologjike ndaj fëmijëve – në të gjitha format e saj – është mjaft e përhapur në Shqipëri. Për vitin 2012, në linjën telefonike falas për fëmijë, të paktën 20 mijë fëmijë kanë raportuar ushtrim dhune në familje dhe jashtë saj. Shtatë mijë prej këtyre të miturve janë larguar të paktën për një ditë nga shtëpia. Ndërsa përsa i përket dhunës seksuale ndaj fëmijëve, gjatë vitit të kaluar ka pasur 47 raste të denoncimit të tyre.

/Julia Bardhushi, Albanian Screen/