DURRES, 25 maj 2013- Agron Duka ka kërkuar votën e banorëve të fshatit Rinia në Durrës, pasi ka ndërtuar një urë me paratë e veta.

“Ju e dini që unë kam qenë deputet në vitin 2001-2005 në zonën 25, ku përfshihet Shijaku, një pjesë e komunës Rashbull dhe komuna Xhafzotaj.

Më pas në vitin 2005 kam qenë kandidat për deputet i PS-së ku ka qenë përfshirë edhe kjo zonë. Pastaj kandidova sërish nga PS-ja, ku humba me një diferencë prej 400 vota.

Kështu që fillova të jap një farë kontributi në Partinë Socialiste, mora pjesë në zhvillimin e programit rural, ku isha kryetar i këtij programi.

Unë jam sot kandidat i PR-së, i koalicionit të djathtë dhe ky mandat do të merret me kontributin e PR dhe të votuesve të majtë dhe të djathtë, por unë kam deklaruar dhe jua them edhe ju: Ky mandat do të jetë gjithmonë një mandat për të djathtën.

Pra, të daravisim çdo lloj problemi. Megjithëse ndonjëri këtu mund të jetë edhe i majtë, por unë me dëshirë e pres edhe votën e tij, por e rëndësishme është të sqarojmë publikun se ky mandat është i djathtë, i Partisë Republikane. 

Ne na duhen 6000 vota që unë të dal deputet.

Ajo që mua më jep shumë pushtet, dhe që nesër t’ua konvertoj ju, është vota cilësore e kësaj zone.

Pra, do të ishte shumë kualitative nëse unë do të dilja deputet pa pasur nevojë as për votën e Durrësit, as të Krujës, as të Fushë Krujës.

Me këtë që po them nuk dua të injoroj ato zona, sepse natyrisht do t’i përfaqësoj edhe ata në parlament denjësisht, por siç e dini edhe ju, unë kam bërë më shumë për zonat rurale dhe për Shijakun.

Në vitin 2005, kur unë jam kandiduar, jam munduar të bëj disa punë në këtë zonë. Kam bërë edhe një urë këtu me financat e mia për të lidhur dy fshatrat. Ju jeni dëshmitarë.

E njoh shumë mirë problematikën e zonës. E di që ka problem me energjinë elektrike me tensionin e lartë. E di që ka probleme me infrastrukturën dhe me ujin e pijshëm.

Duhet të jeni të bindur se sapo të ulem në atë karrige, do të ngre problematikat tuaja në sallën e Kuvendit.

Unë do u thosha kështu: E rëndësishme është që unë duke marrë mandatin nëpërmjet jush, nuk them nëse e marr, sepse kam besim tek ju, do të mundohem dhe do të bëj interlokutorin me qeverinë e ardhshme”, u ka thënë banorëve të zonës Agron Duka.

/Tema/