DURRES, 4 maj 2013– Agron Duka, i ka dhënë një goditje të fortë Partisë Socialiste në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit.
Ish-Ministri dhe deputeti i kësaj force politike ka braktisur të majtën duke bërë një kalim të papritur në gjirin e së djathtës.
Burime të sigurta konfirmuan se Duka do të kandidojë në qarkun e Durrësit për Partinë Republikane.
Zërat konfirmuan se biznesmeni i njohur dhe dikur emër shumë i debatuar do të jetë i pari në listën e republikanëve.
Agron Duka, më shumë se për veprimtarinë e tij në gjirin e PS-së është i njohur për replikat e forta në distancë me Kryeministrin Sali Berisha, me të cilin tashmë do kërkojë votën për koalicionin e djathtë.
Agron Duka ka përfaqësuar Partinë Socialiste në Parlament si deputet i Durrësit dhe ka mbajtur postin e Ministrit të Bujqësisë në qeverinë “Nano”.





