Por “të ndryshosh qëndrimin ndaj një partie në pluralizëm, sidomos tani që me ndryshimet kushtetuese roli i saj është dobësuar në maksimum dhe është përqendruar te një njeri, nuk përbën “tradhti” ndaj idealeve”
TIRANË, 1 gusht 2013 – Biznesmeni-politikan Agron Duka ka vendosur të mos ua “dredhë” Fatmir Mediut dhe republikanëve, në siglën e cilëve doli deputet në qarkun e Durrësit. Në një intervistë për të përditshmen “Shqiptarja.com” Duka tha se ka “marrëdhënie shumë të mira” me strukturat e PR-së dhe se “njeriu ndjehet mirë aty ku gjen bashkëpunim dhe ndjehet i vlerësuar”, duke hedhur poshtë zërat se mund të bashkohet me PS-në. Duka argumenton se “të ndryshosh qëndrimin ndaj një partie në pluralizëm, sidomos tani që me ndryshimet kushtetuese roli i saj është dobësuar në maksimum dhe është përqendruar te një njeri, nuk përbën “tradhti” ndaj idealeve”. Ish-ministri socialist i Nanos thotë: “Sinqerisht unë ndiej që kam për detyrë t’u shërbej të gjithëve qofshin këta të djathtë të majtë apo pa parti, unë këtë kam bërë gjatë jetës time politike dhe nuk kam ndërmend të ndryshoj”. Duka pohon se nuk ka pasur “ndonjë takim konkret për të përpiluar ndonjë taktikë apo strategji të caktuar” të opozitës. Edhe pse ka kontribuar në përgatitjen e programit të PS për bujqësinë, Duka deklaron se “personalisht do të mundohem të bëj një oponencë konstruktive sidomos në fushën e bujqësisë dhe sporteve, ku kam më shumë eksperiencë”. Ai beson se në një të ardhme të afërt opozita e tij, bashkë me atë Lulzim Bashës, Sali Berishës, Kastriot Islamit, Fatmir Mediut “do të përcaktojë qartë detyrat e secilit në parlamentin e ardhshëm”.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





