DURRES, 20 qershor 2013 – Kandidati i Partisë Republikane për deputet në qarkun e Durrësit, Agron Duka, shprehet se Edi Rama nuk është bindës në premtimet e tij për legalizimet falas për shtresat në nevojë, uljen e taksave dhe rritjen e shpenzimeve. 

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, i pyetur edhe si ish-anëtar i Asamblesë socialiste, ai thotë:

“Përgjigjja ime është evidente. Unë nuk mund të them që Rama nuk u përmbahet premtimeve! Unë jam dëshmi e gjallë e premtimeve të mbajtura prej tij!”.

Duka flet gjithashtu edhe për etiketimin e tij si tradhtar, duke u larguar nga PS-ja, si dhe për debatin brenda së majtës për çështjen e Kryeministrit. 

Ju keni bërë fushatë në Shijak në vitin 2001 dhe 2005. Ka qenë ndryshe fushata këtë herë?

Njerëzit më kanë pritur shumë mirë, madje më mirë se në vitin 2005. Kjo edhe për shkak të Kodit Zgjedhor, ku fushata është më e butë. Këtu gjithsecili punon për vete. Sa i përket faktit që unë votohem djathtas, Shijaku ka qenë zonë e djathtë, dhe për këtë fakt unë jam pritur më mirë. 

Keni zhvilluar të martën mitingun e mbylljes së fushatës dhe keni folur për karkaleca politikë që ju kanë quajtur tradhtar. Në këto 30 ditë fushatë, ka bërë PS-ja fushatë negative ndaj jush?

Përgjithësisht, nga njerëzit që janë në listën e PS-së nuk kam parë fushatë negative. Por ndonjëri që ka folur ka qenë një zë i mekur. Më ka bërë përshtypje fakti që një njeri gjykon tradhti këtë rast. Nëse nuk je dakord me idetë e Ramës dhe Dakos, nuk do të thotë se je tradhtar. Je i tillë kur tradhton Shqipërinë. Një njeri që shprehet kështu është mediokër dhe e sheh me njëanshmëri problemin. Njerëzit që deri dje ishin në pushtet me Berishën, sot i kanë futur në listën e tyre, unë nuk i paragjykoj, por flasin për tradhtarë. Pastaj gjithçka do të duket më 23 qershor, ndonëse u duk edhe në mitingun e fundit. Kjo tregon se njerëzit nuk e gjykojnë kështu, por gjykojnë siç them unë. 

Ju keni qenë një nga funksionarët e lartë të PS-së dhe jeni ndër hartuesit e saj. Në pozicionet që keni mbajtur, ju e njihni mirë Edi Ramën. Besoni se ai mund t’i mbajë premtimet për legalizimet falas, uljen e taksave dhe rritjen e shpenzimeve?

Përgjigjja ime është e evidente. Unë nuk mund të them që Rama nuk u përmbahet premtimeve. Unë jam dëshmi e gjallë e premtimeve të mbajtura prej tij! 
 

Përse mendoni se nuk duhet të ketë rotacion më 23 qershor?

Kjo pyetje bëhet shpesh, por unë nuk marr përsipër të them që duhet apo nuk duhet të ketë rotacion. Unë marr përsipër të them që nuk është rotacioni vetëm që të sjell në pushtet. Duhet të dish të shtrosh alternativën për të marrë pushtetin. Një gjë që ka ndikim direkt është edhe mënyra e të bërit fushatë. Për mua mënyra e të bërit fushatë e Ramës është e dobët. Qëkur ka synuar të bëjë Kodin Zgjedhor për t’i dhënë pushtet vetes, i ka nënvlerësuar plotësisht njerëzit që do të kandidojë për deputetë. Unë mendoj se edhe mund të mos ketë rotacion.