Në zgjedhjet e fundit parlamentare t qershorit 2017 u rendit i pesti në listën e kandidatëve të PD-së për qarkun e Durrësit, por nuk mundi të siguronte një mandat deputeti. Madje mund të thuhet se ishte kandidati që bëri më shumë fushatë në PD dhe mbeti i zhgënjyer më shumë nga rezultati, deri aty sa mendoi tërheqjen nga politika. Ai nuk nguroi të shprehte në atë kohë rezervat e tij për fushatën e PD-së në Durrës.
Por dy vite nga kjo humbje dhe kur zgjedhjet lokale pritet të mbahen 30 qershorin e vitit të ardhshëm, kreu i PAA-së, Agron Duka, duket se e ka lënë tashmë mënjanë Durrësin.
I pyetur nga TCH për kandidatët për zgjedhjet vendore, aleati i Bashës deklaron: “Në zonat rurale, aty ku partia ime ndihet më e fortë. Nëse biem dakord për Lushnjen, Roskovecin… jemi gati për të prezantuar kandidaturën tonë të përbashkët”.
Megjithëse në zgjedhjet e vitit 2015, Duka nuk e fshehu dëshirën për të kandiduar në garën për kryebashkiak të Durrësit, në një kohë që PD kandidoi Grida Dumën, këtë herë kreu i PAA-së duket se preferon të garojë me kandidatët e partisë së tij vetëm në ato zona ku beson se gëzon mbështetje të madhe.





