I pranishëm në ceremoninë e dekorimit të Dhomës së Tregtisë Durrës me titullin e lartë “Për merita të veçanta civile”, me rastin e 100-vjetorit të krijimit të saj, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, shigjetoi mbështetjen e mangët që qeveria Rama ka dhënë për biznesin në këtë periudhë mjaft të vështirë, të krijuar fillimisht nga tërmeti i 26 nëntorit dhe më pas nga pandemia Covid-19.

“Mendoj që në këto momente kaq të vështira që po kalon biznesi, duhej që qeveria të kishte vëmendje më të shtuar përsa i përket humbjeve që regjistron biznesi, kredive që ka marrë dhe interesave që duhet të paguajë”,– tha politikani Duka.

Kreu i PAA-së u ndal edhe në problematikat e sektorit të bujqësisë, i cili sipas tij është lënë në mëshirë të fatit.

“Pavarësisht se bujqësia jep 20% të GDP-së, merr shumë pak mbrapsht nga shteti, merr rreth 2% të GDP-së. Ndërkohë subvencione thuajse nuk ka fare”,– tha ai.

I përfshirë në listën fituese të kandidatëve për deputetë të PD-së në qarkun e Durrësit, Duka shprehu bindjen se me qeverisjen e ardhshme, bujqësia do të subvencionohet në mënyrë direkte.

“Bujqësia dhe biznesi në përgjithësi do të kenë përkrahjen e qeverisë dhe do të shihen prej saj si aleatë dhe jo kundërshtarë”,- tha kreu i PAA-së.