DURRËS, 14 dhjetor 2014 – E diel e trishtuar, dhe pse e ngrohtë dhe me diell pranveror, ajo e 14 dhjetorit 2014, ditë kur u përcoll në banesën e fundit legjenda e notit durrsak dhe shqiptar, 75-vjeçari Agron Ismailati. Ishte trajner i paarritshëm, teksa e nxori ekipin durrsak të Lokomotivës / Teutës 28 herë kampion për meshkuj dhe disa vite për femra; disa herë trajner i ekipit kombëtar në kampionate botërore, evropiane, ballkanike në Greqi, Itali, Marok, Turqi, Koroaci, Maqedoni. Disa herë ka qenë kryetar i këshillit të trajnerëve në federatën shqiptare të notit. Madje, kur ishte student në universitet, si më i madh në moshë, për shkak të ndërprerjes së shkollës së mesme për arsye ekonomike dhe kryerjes së shërbimit ushtarak për 3 vjet, ai u ngarkua detyra për krijimin e të parit ekip noti të klubit “Studenti”. Agron Ismailati u është drejtuar për ndihmë shokëve të tij studentë nga Durrësi, që u bënë bërthama e “Studentit”, i cili u paraqit në kampionatin kombëtar në Sarandë në vitin 1967.
Në ekip kishte bashkëstudentë edhe nga Vlora, Saranda, Shkodra, Tirana, të cilët i stërviste në det të hapur në Currila, ndaj të cilëve kujdesej nëna e Agronit. Për herë të parë “Studenti” fiton stafetën 4×100 të përzier, duke u shpallur kampion në këtë garë.
Kjo është dhe arsyeja që të ndjerin Agron Ismailati e donin dhe e vlerësonin në të gjithë Shqipërinë, madje dhe sportistë e trajnerë rivalë të Lokomotivës / Teutës. Thjesht, ishte intelektual i sportit, njeriu më i kompletuar, jo vetëm si ekonomist në një nga ish-ndërmarrjet më të rëndësishme të Durrësit e të vendit para viteve 1990, por edhe si trajner që fuste të rejat nga noti ndërkombëtar, për faktin se nuk u ndahej librave.
Vetë, si sportist, Agroni ishte një nga portierët më të famshëm në vend në vaterpolo. Kur ishte ende adoleshent, ka thyer rekordet e moshave në garat 50 m dhe 100 m stil bretkosë, ndërsa pak më vonë do të shpallet nënkampion i të rriturve në të njëjtën disiplinë.
Arsyet ekonomike e detyrojë Agronin 16-vjeçar të ndërpresë shkollën e mesme dhe të punojë për të mbështetur familjen. Në fundin e viteve 1950, Agron Ismailati, së bashku me notarë të tjerë nga Durrësi dhe Shkodra, bëhet pjesë e ekipit të notit “Partizani”. Për tre vjet me radhë, Ismailati kryen kështu shërbimin ushtarak.
Agron Ismailati ka qenë pjesë e katërshes durrsake që bashkë me titullin kampion në garën stafetë 4 x 100 m katërnotim, i dhanë Durrësit edhe titullin e kampionit për meshkuj.
Me ndërtimin e pishinës në vitin 1974, në notin durrsak fillon në epokë e artë nën drejtimin e Ismailatit, me tituj kampioni për 10 vite radhazi, nga 1977 deri në vitin 1986. Po ashtu dhe në vitet 2000 Ismailati nuk hoqi dorë nga puna trajnerit. Agroni dhe dhjetëra mjeshtër e notarë cilësorë nderuan qytetin bregdetar, pasi gara e parë e zhvilluar në Durrës, në vitin 1929, njihet edhe si gara e parë zyrtare në Shqipëri.
Mund të shkruhej më gjatë, pasi “bëmat” e Agronit janë të panumërta… Lamtumirë, Legjendë !
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





