AGSH ka reaguar lidhur me ngjarjen e rregjistruar ditën e sotme ndaj gazetarit Aldo Mustafa në Durrës.
Reagimi i plotë:
“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) shpreh shqetësimin e thellë lidhur me sjelljen e Policisë së Shtetit ndaj gazetarit Aldo Mustafa në qytetin e Durrësit, një rast që përbën ndërhyrje serioze dhe të pajustifikuar në ushtrimin e lirë të profesionit të gazetarit.
AGSH është vënë në dijeni se gazetari Aldo Mustafa është penguar gjatë ushtrimit të detyrës, teksa po filmonte veprimet e Policisë së Shtetit për vendosjen e masave administrative ndaj drejtuesve të automjeteve në Durrës. Sipas informacionit të raportuar, punonjës të policisë kanë ushtruar presion të drejtpërdrejtë ndaj gazetarit, duke i bllokuar lejen e qarkullimit të mjetit me pretendimin se kishte masa administrative të papaguara dhe duke e kushtëzuar kthimin e saj me ndalimin e raportimit mbi temën që ai po mbulonte.
Kjo sjellje përbën një tentativë të qartë presioni dhe shantazhi ndaj një gazetari në ushtrim të detyrës, duke cenuar rëndë të drejtën për informim dhe duke shkelur parimet themelore të lirisë së medias, të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe konventat ndërkombëtare ku vendi ynë është palë.
Pavarësisht presionit, gazetari Aldo Mustafa ka këmbëngulur në të drejtën e tij për të vijuar raportimin, ndërkohë që në vendngjarje kanë mbërritur edhe shërbime mbështetëse të Policisë së Shtetit, duke e përshkallëzuar më tej situatën.
Nga të dhënat paraprake, kjo ngjarje jo vetëm që përbën shkelje të rëndë të lirisë së informimit, por ngre dyshime serioze për konsumimin e veprimeve me elementë penalë nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë i bën thirrje të menjëhershme Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës për të sqaruar publikisht dhe në mënyrë transparente të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje. Njëkohësisht, AGSH kërkon nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore nisjen e menjëhershme të hetimeve administrative dhe penale, duke marrë parasysh se në këtë incident dyshohet se janë përfshirë edhe drejtues të strukturave policore.
AGSH rithekson se çdo formë presioni, intimidimi apo pengese ndaj gazetarëve në ushtrim të detyrës është e papranueshme dhe përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias dhe të drejtës së publikut për t’u informuar.”





