Nga Safet N. RAMOLLI
Prej më shumë se një dekade, sidomos në prag të fushatës për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, dhe më pas, popullit shqiptar i është shtruar me shumicë në tavolinën e ushqimit për konsum propagandistik frazeologjizma: “Në rrjetë do të bien edhe peshq të mëdhenj”. Kjo frazeologjizëm e ka burimin tek një arritje e mençur e popullit shqiptar, i cili nga përvoja në udhëtimin historik të tij, ka definuar se “Peshku i madh e ha të voglin!” Kështu ia përcjell atij në udhëkalim historia fatin, prandaj ai nuk është fajtor, nëse mendon pikërisht kështu dhe jo ndryshe. Kohë të shkuara, nisur nga përvoja e hidhur e drejtësisë sidomos, por edhe nga marrëdhëniet me shtetin, ai ka arritur në përfundimin e pohuar njëzëri në katër cepat e tërësisë territoriale, se po “të ka bërë kadiu, nuk ke ku të ankohesh”. Dhe kështu fatalisht ka pranuar “të ulë kryet” si “Manushaqja” e Naimit ndënë hithra, ferra e gjemba, që “përsipër i kanë rënë” dhe “dritën ia kanë zënë”…”.
A ka të drejtë populli shqiptar të besojë në fabulën “Peshku i madh e ha të voglin”? Po. Bile më tepër se sa besueshmërisht, sepse atij si “peshk i vogël”, përgjatë kalvarit të udhëtimit të tij, gjithmonë dhe rregullisht kështu i ka ndodhur: Peshku i madh në administratën publike më të ulët e deri në atë më të lartën, gjithmonë e ka gllabëruar me gjithë vertebër atë më të voglin, pra popullin, më mirë me thënë, shtresën e ulët dhe masive të tij. Kësisoj, “Peshku i madh” atij i fanepset (shfaqet) si një fantazmë fatalisht gllabëronjëse, një realitet ky “gri” që duhet pranuar. Gjithsesi nuk kemi të bëjmë me rënie në fatalizëm për këtë çështje, sepse populli shqiptar, si “Peshk i vogël” nuk e ka pranuar “me qejf” aforizmën e prioritetit të “Peshkut të madh”, si në planin kombëtar ashtu edhe atë ndërkombëtar. Ai përmes sakrificash të shumta e të mëdha në numër, por edhe me përmbajtje të qartë kombëtare e morale, e ka kundërshtuar këtë ofertë.
Personalisht, për të mos pohuar se jam “tifoz i sëmurë” apo idhull i Fan Nolit, Faik Konicës, Gjergj Fishtës, Migjenit, e mjaft të tjerëve më përpara si Pjetër Budi e Pjetër Bogdani, Zef Serembe e De Rada, Thimi Mitko e dhjetra të tjerëve, po i referohem, Fan Nolit, tek i cili kam gjetur gjithëherët, ndoshta shëmbëlltyrën e referimit për këtë çështje. Ai më se një herë shprehet qartësisht dhe me argumente se “peshku i vogël” është “preh e peshkut të madh”. Në vijim po sjell për lexuesin shqiptar diçka që Ai na i sjell në vëmendje.
Paraprakisht, kam detyrimin si “studiues” që të shprehem se, në historinë e kombeve ka kombe, që hyjnë në histori edhe përmes personaliteteve që ata ekspozojnë gjatë rrjedhës së historisë së tyre. Ka të tjerë që shkëlqejnë, si të përkëdhelur prej fatit, edhe pa patur personalitete zulmëmëdhenj. Ka personalitete, që bashkëngjitur shkëlqimit të kombit vezullojnë edhe vetë. Por ka të tjerë, që duket se janë krijuar vetëm për të rrezatuar. Pikërisht Fan Noli i përket asaj kategorie personalitetesh, të cilët vetëm rrezatojnë e rrezatojnë pa reshtur, për të shndritur edhe kombin e vet. Sa i përket problemit në fjalë, ai mbetet njohës i mirë i situatave, të cilat marrin frymë e jetë në gjithë kontinentet. Hedh shikimin e mprehtë në çdo skaj të globit, duke trajtuar para së gjithash problemet e Evropës, “Kontinentit Plak”, sikurse artikulohet shpesh në kulisat diplomatike, por edhe marrëdhëniet midis Japonisë e Rusisë, qoftë edhe për një hekurudhë, e cila shërben si urë lidhjeje midis Evropës dhe Lindjes së Largët.
Problematika e publicistikës së Nolit përmban një gamë të gjerë, ashtu si është po aq plastike dhe koherente. Në të shpalosen zhvillimet demokratike të kohës në Amerikë e Angli, në Itali e Francë, por edhe në Indi dhe Egjypt, natyrisht edhe në Shqipëri. Na shpaloset qartazi një Amerikë e fuqishme, e cila financon mjaft vende të tjera, por edhe që dirigjon politikën ndërkombëtare. Na vjen para syve Anglia, Franca dhe Japonia të fuqishme ekonomikisht, por që në njëfarë mase i nënshtrohen “shkopit të dirigjentit”. Na serviret një Gjermani, Itali apo edhe shtete të tjera, të cilat inspirojnë të rimëkëmben për të zënë një pozitë më dominuese në hartën botërore, mandej na shfaqet një botë e tërë që “zvarritet”, që ka dëshirë të zhvillohet, por që nuk e ka plotësisht të qartë ku ta fokusojë shikimin dhe ku të kapet, ose që ja sfumojnë “të fuqishmit”, e të tjera, por që tek e fundit, përfundimi ka qenë dhe mbetet se, “… marrëdhëniet e të mëdhenjve bëhen gjithnjë në kurrizin e të vegjëlve…”, konkludon Noli im i adhuruar. Por me sa duket enkas për këtë dukuri politike dhe për problemin që unë dëshiroj të shprehem, Ai ka përgatitur një satirë fabulore me përmbajtjen si më poshtë. Ligji i natyrës e do që peshku i madh e ha më të voglin, ose që arsyeja e më të fortit është gjithnjë më e mirë. Sipas këtij ligji natyror armiqtë nuk kanë faj kur përpiqen të na gëlltisin, ashtu si edhe ne nuk kemi të drejtë t’i shajmë sepse nuk jemi të zotët të hedhim poshtë ligjet e natyrës. Dhe pas kësaj, me tepër theks ironizues, na jep mësimin se ç’mund të bëjnë peshqit e vegjël. Ata duhet të përdorin kanunin e mbrojtjes përmes tri mënyrave: peshku i vogël të mbrohet vetë duke ikur nga goja e peshkut të madh; vetë i vëllaj i peshkut të vogël duhet ta këshillojë të mos bëjë miqësi me peshq të mëdhenj dhe as të hyjë nëpër këmbët e tyre; dhe së fundi, vetë qënia e peshqve ka ca kanune, të cilat e ndalojnë peshkun e madh të hajë më të voglin. Ja kjo është pak a shumë në thelb fabula që na shpalos Noli, ndër publicistët e mi të adhuruar.
Çuditërisht kështu rrjedhin ngjarjet në Shqipëri edhe mbas shembjes të sistemit totalitar: “Peshku i madh” e ka ngrënë dhe vazhdon ta hajë “më të voglin”. Me ligjin e natyrës, që “peshku i madh e ha të voglin”, unë jam në sinkron të plotë, sepse për ndryshe, duhet të ndryshojmë çështjen e habitateve natyrore, çka ne nuk mund ta bëjmë: “peshku i madh” domosdoshmërisht duhet të ushqehet me më të vegjlit, ashtu si kafshët e egra të mëdha mishngrënëse kanë nevojë dhe ushqehen me kafshët më të vogla. Por kjo ligjësi e natyrës, jo vetëm në Shqipëri, është përshtatur edhe në jetën njerëzore. Më të fuqishmit ndër kohë: politikanë dhe shtetarë të pushtetit legjislativ dhe atij ekzekutiv (pushteti i parë dhe i dytë); punonjës të sistemit të drejtësisë: prokurori, hetuesi, gjykatë (pushteti i tretë), dhe ata të medias: ajo vizive dhe e shkruar (pushteti i katërt), të cilat kryesisht financohen nga biznesi, veprojnë pikërisht sipas këtij ligji: “Peshku i madh e ha më të voglin”. Kjo sepse përndryshe, “peshqit e vegjël” (sipas përkatësisë së pushteteve) duhet të sakrifikohen “për orekset” e pushtetit të “peshqve të mëdhenj”. Për këtë dukuri politike dhe shoqërore, nga përvoja jetësore ndër shekuj, populli shqiptar ka arritur në përfundimin e arsyeshëm: “qeni leh aty ku ha”. Në të kundërtën, askush nuk ka përse të mbajë një qen, që do vetëm ushqim e përkujdesje, por nuk leh në shërbim të të zotit. Ai duhet të bëjë “ham-ham” apo “hum-hum”, të tregohet trim dhe i çartur ndaj kundërshtarëve “të të zotit”, përndryshe, ajo që në ekonomi quhet “vlerë e përdorimit të mallit”, del nga lista e “të dobishmeve”, dhe qeni përfundon në “koshin e plehrave”. Kësaj i druhen shërbëtorët e “pushtetit (të ashtuquajtur) të katërt”.
Kush janë “Peshqit e mëdhenj” në Shqipëri? Kjo është fare e thjeshtë: politikanët, gjasme të zgjedhur nga populli, por që në shumicën e rasteve populli nuk i njeh, dhe shtetarët e përzgjedhur nga politika, thjesht si shërbëtorë të tyre, ose më mirë të shprehemi, si masha “për të nxjerrë nga zjarri gështenjat e nxehta”; mandej vjen sistemi i drejtësisë (ata që përfshihen në këtë sipërmarrje, të cilët fatkeqësisht kanë rezultuar me shumicë), dhe një kontigjent i gatshëm që vihet, fillimisht në shërbim të të parëve, dhe natyrisht edhe në mbrojtjen e tyre, të cilët, në të skajshmen, në mjaft raste, “flaken si të panjohur” nga padronët e tyre.
Ligji i natyrës e do që, ashtu si më të fuqishmit hanë më të dobëtit, edhe këta të fundit duhet të mbrohen po vetë. Në përshtatje me këtë ligjësi, natyra i ka pajisur kafshët jo vetëm me instikte të lindura e të fituara, por edhe me reflekse, po ashtu të lindura e të fituara, midis të cilëve veçohet ai i mbrojtjes dhe i vetëmbrojtjes, por edhe me të tjera të fituara, si ato që na mëson Pavllovi përmes eksperimenteve të tij dhjetravjeçare. Por nga vetë natyra, peshqit kanë një avantazh më shumë: ata “rrëshqasin”, ashtu si flatrat nuk i pengojnë, sepse ata lëvizin vetëm përpara. Me “peshqit njerëzorë”, kjo çështje qëndron pak më ndryshe; ata nuk kanë veti natyrore të rrëshqasin, por ama, kanë “reflekse të kushtëzuara” që i fitojnë me shumicë : rrëshqasin duke dredhuar, por edhe duke ikur mbrapsht, ashtu si mbështeten tek “peshqit e mëdhenj”, që bëjnë ligjin në komunitet. Ambasadori amerikan, i nderuari Lu, ka folur për katër peshq të tillë (Klane), që politika i quan “oligarkë”, por edhe për njëzet familje kriminale, peshq pak më të vegjël se shefat e tyre, të cilët janë lidhur pazgjidhshmërisht. Më poshtë tyre gëlojnë qindra peshq paksa më të vegjël, por që kanë goxha pushtet. Ky zinxhir lidhjesh, apo kjo piramidë “peshqish njerëzorë”, duhet ta pranoj, se personalisht, nuk më bën shumë optimist, që të shoh në rrjetën e antikorrupsionit “peshq të mëdhenj”, dhe aq më pak që të shijoj ndonjë copë të skuqur prej tyre. “Peshqit e mëdhenj” në Shqipëri janë të lidhur thuajse organikisht midis tyre: në parlament kemi pjesëtarë të një familje (bashkëshortë e bashkëjetues, vjehërr e dhëndër etj.); pjesëtarë të krushqisë dhe farefisnisë, dhe bashkëkrahinarë apo shokë e miq. Këta “Peshq të mëdhenj” është mjaft e vështirë të “bien në rrjetën e drejtësisë”, ata e njohin mirë ashtu si ja kanë frikën njëri-tjetrit, njëra anë, dhe, nga ana tjetër, politika e ka përdorur drejtësinë në shërbim të saj, ndërkohë që tashmë, është kthyer “në shërbëtore” të saj: politika ndihet më pak e fuqishme ndaj drejtësisë, prandaj edhe nuk mund, apo ka vështirësi, t’i imponohet për aplikimin e procesit të vetingut.
Ka edhe një problem që duhet vlerësuar me kujdes. Shoqëria shqiptare i filloi proceset demokratizuese thuajse nga i njëjti start, që po ta banalizojmë pak sa, duhet të pranojmë se që të gjithë ishin “peshq të vegjël”. Por gjatë rrugëtimit në këto tri dekada u bë një diferencim galopant: mjaft “peshq të vegjël” duke vepruar me paudhësi deri edhe të frikshme, jo vetëm që u shndërruan në “peshq të mëdhenj”, por edhe u bënë të rrezikshëm në mjaft fusha për komunitetin, çka tashmë ka marrë përmasat e një fenomeni mjaft shqetësues dhe të vështirë për t’u korrigjuar. Ky proces nuk ka qenë dhe nuk është i panjohur edhe nga ndërkombëtarët, të cilët hera-herës kanë ndërhyrë, por ndoshta jo me forcën e duhur dhe efektive.
Dy fjalë për këtë fenomen, sipas këshillave që jep Fan Noli. Ndikimit të ligjit të natyrës nuk mund t’i shmangemi: peshku i madh domosdoshmërisht do të ushqehet me më të vegjlit e sojit të tij apo të ngjashëm me të. Në pikëpamje shoqërore (pra njerëzore), këshilla që “peshku i vogël” të mbrohet vetë “duke ikur nga goja e peshkut të madh”, në kushtet e Shqipërisë është e vështirë, sepse “Peshku i madh”, përmes meduzave të shtrira si një kancer aktiv, nuk e lejon peshkun e vogël të ikë nga traseja e tij, përndryshe “peshku i vogël” rrezikon kafshatën e gojës sepse hiqet me njëmijë sajesa nga vendi i punës. Pra “peshku i vogël” nuk mund të ikë nga goja e “peshkut të madh”. Edhe këshilla e dytë (që vëllai i peshkut të vogël ta këshillojë, që ai të mos hyjë në miqësi apo nëpër këmbët e peshkut të madh), vështirë se funksionon në një vend ku njerëzit kanë nevojë për bukën e gojës, ujin e pijshëm, energjinë elektrike për ndriçim. Komuniteti shqiptar, për këtë shkak, është “parcelizuar” në parti politike, në kërkim të mundësisë për të mbijetuar. Asnjë vëlla nuk pranon, apo nuk i merr në konsideratë, këshillat e vëllait tjetër “që të mos hyjë nëpër këmbët e peshkut të madh”, sepse i krijohen probleme për mbijetesën. Këshilla e tretë, sipas së cilës disa kanune nuk e lejojnë peshkun e madh që të hajë peshkun e vogël, nuk mund të jenë të aplikueshme për një vend ku pandëshkueshmëria është fenomen gati mbizotërues për “peshqit e mëdhenj”, të cilët gjunjëzojnë drejtësinë apo “peshqit e mëdhenj në shërbim të peshqve akoma më të mëdhenj”, pra të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv. Kështu që “peshqit e mëdhenj” kanë bërë ligjin për gati tri dekada (1990-2017), dhe, pa dashur të bëj “Kasandrën”, ata do të jenë edhe për ca kohë të pandëshkueshëm.
Ambasadori i nderuar i SHBA, zoti Lu, në fillim-muaji nëntor 2017, u shpreh se, në kundërshti me aforizmën shqiptare, se “peshku i madh e ha të voglin”, në fillim-viti 2018, do të shohim që “peshku i vogël”, kur bashkohet e “ha peshkun e madh”. Unë kam dashur t’i besoj drejtësisë, sepse shqiptarët prej shekujsh janë shprehur: me qeverinë, me zjarrin dhe me ujin mos u merr. Por ata e kanë patur mendimin për kushtet kur ka në veprim një qeveri aktive dhe në shërbim të popullit dhe jo për të përmbushur interesat e individëve apo grupeve të caktuara, sikurse ka ndodhur në tre dekadat e fundit. Para jo më shumë se një viti, kur luhej loja “e kungulleshkave” midis forcave politike me reformën në drejtësi, publikisht iu drejtova z. Lu përmes shkrimit “Mos humbisni kohë, z. Lu”, sepse politika shqiptare vepron sipas zakonit të mushkës së xha Canes, një ish bashkëfshatari im i nderuar, i cili mushkën “xanxare” e shtroi duke e ngarkuar rëndshëm, deri sa ajo u bë si gjithë mushkat e tjera, të cilat duhet të vihen në shërbim të të zot, pra edhe politika të vihet në funksion të shqetësimeve të komunitetit.
Në përfundim, shpresoj se do të kemi para drejtësisë edhe “peshq të mëdhenj”, se po qe për “peshqit e vegjël”, ata i gllabëron pa asnjë problem shumësia e “peshqve të mëdhenj”.
/Sot News/