TEHERAN, 6 mars 2013– “Hugo Chavez vdiq për shkak të një ‘sëmundje të dyshimtë’”. Thënia ka dalë nga goja e presidentit të Iranit, Mahmud Ahmadinexhad, i cili e cilësoi liderin venezuelian "martir dhe mbrojtës së vlerave të revolucionit”.

Irani e kishte shpallur ditën e sotme Ditë zie kombëtare në nderim të “figurës së antiimperialistit latinoamerikan”. Pritet që në varrimin e Chavez të jetë i pranishëm edhe presidenti Ahmadinexhad.

Kush ishte Hugo Chavez?

Presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez ishte një udhëheqës populist e autokrat në vendin e tij dhe kritik i hapur i Shteteve të Bashkuara.
 
Hugo Chavez mori detyrën e presidentit në vitin 1999 dhe u vlerësua nga të varfërit, të cilët besonin se ai mbronte interesat e tyre. Megjithatë ai u bë i njohur në skenën politike botërore vite më parë në vitin 1992, kur si ushatarak u vu në krye të një grushti shteti të pasukseshëm, përpjekje për të cilën ai u burgos. Kur u lirua, ai vazhdoi përpjekjet për pushtet në mënyrë të ligjshme, duke krijuar një lëvizje politike. Në vitin 1998 ai vuri  kandidaturën për president dhe fitoi.

“Betohem para popullit tim mbi këtë kushtetutë se do të punoj për të realizuar transformime demokratike”, tha ai në atë kohë.

Në vitin 2012, zoti Chavez fitoi mandatin e katërt si president me 54 për qind të votave, fitore që ai e konsideroi si një mandat për të vazhduar politikat e tij socialiste.

“Vendi votoi për vazhdimin e një axhende politike dhe ekonomike, me pak fjalë të një axhende socialiste”,- tha ai pas fitores. Nëpër botë Hugo Chavez u bë një figurë irrituese për Shtetet e Bashkuara, të cilat i kritikonte vazhdimisht. Në vitin 2006, ai mbajti një fjalim në Kombet e Bashkuara, gjatë të cilit iu referua presidentit të athershëm amerikan, George Ë. Bush si djalli.

Për përkrahësit e tij, Hugo Chavez do të mbahet mënd si kampion i popullit, i cili përdori pasuritë e mëdha të vendit me naftë për t’u garantuar të varfërve strehim dhe kujdes shëndetësor falas.

“Nuk mund të gjesh një njeri karizmatik dhe të aftë për t’u lidhur me venezuelasit si Hugo Chavez. Figura dhe kujtimi i tij nuk do të zhduken dhe kjo do të ndihmojë që lëvizja e tij të mbetet gjallë”,- thonë analistët.
Edhe kritikët më të ashpër të Presidentit Chavez thonë se ai ishte shumë karizmatik dhe me aftësi të mrekullueshme komunikimi. Ai u diagnostikua me kancer në qershor të vitit 2011 dhe iu nënshtrua kimioterapisë si dhe një numër operacionesh dhe kurash. Megjithatë gjatë fushatës së vitit të kaluar ai u paraqit plot jetë, duke insistuar se ishte në gjendje fare të mirë.