13 maj 2015 – Eksperienca e Teutës do të bëjë diferencën me përplasjen direkte me Apoloninë në “Niko Dovana”, ku do të sigurohet mbijetesa e Djemve të Detit. Kjo është bindja e veteranit Julian Ahmataj, i cili edhe pse s’do të jetë vetë në fushë nuk e vë në diskutim mbijetesën e formacionit të Gentian Begejës.

“Unë jam i bindur se Teuta do ta sigurojë mbijetesën një javë para fundit. Pavarësisht rezultateve negative, lojërat kanë ardhur në ngritje kështu që edhe rezultati në sfidën direkte nuk do të mungojë. Është momenti që edhe lojtarët me eksperiencë të marrin më shumë përsipër dhe ta tregojnë cilësitë e tyre”.

Duke analizuar ecurinë e Teutës në këtë kampionat, 36-vjecari kujton se situata shkoi deri në këtë pikë për shkak të episodeve të vecanta gjatë sezonit. “Ndryshimi erdhi pas merkatos së janarit, pasi Apolonia u përforcua ndërsa tek Teuta ndoshta u mendua para kohe se mbijetesa ishte e sigurt. Kemi lënë disa pikë në ndeshje të caktuara që po t’i kishim marrë sot nuk do të flisnim për mbijetesën”.

Edhe pse e ka mbyllur sezonin për arsye dëmtimi, Ahmataj po vijon fazën e riaftësimit, që do të thotë se ende nuk ka vendosur t’i varë këpucët në gozhdë. “Kur ke një jetë që luan futboll është e vështirë të heqësh dorë. Edhe kur kam qenë i dëmtuar mezi kam pritur të kthehem në fushën e blertë. Nuk e di cfarë do të bëj për të ardhmen, s’e kam menduar ende”.

Gjatë karrierës së tij 18-vjecare në elitën e futbollit shqiptar, Julian Ahmataj ka luajtur me Elbasanin, Bylisin, Teutën, Dinamon, Partizanin, Tiranën dhe Flamurtarin.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/