Julian Ahmataj nuk është më trajner i Teutës. Vendin e tij prej 4 ditësh e ka marrë Gentjan Begeja. Ai flet për të parën herë pas shkarkimit nga kjo detyrë. Elbasanasi deklaron se e respekton këtë vendim që është marrë nga presidenti Edmond Hasanbelliu, ndërsa rrëfen se nuk është larguar totalisht nga Teuta. Ai sqaron se mbetet pjesë e klubit, ndonëse në vazhdim mbetet për t’u përcaktuar roli që ai do të mbajë.
“Vendimi për të ndërruar apo jo trajnerin është plotësisht kompetencë e presidentit. Unë nuk jam më trajner i Teutës dhe ky është një vendim që unë e respektoj. Nuk më mbetet gjë tjetër veçse ta përshëndes dhe t’i uroj ekipit suksese me trajnerin e ri në vazhdim”, tha fillimisht ish-trajneri.
Sakaq, ai thekson se nuk ka pasur në plan që të qëndrojë gjatë në detyrën e trajnerit dhe një gjë të tillë e pat paralajmëruar që prej kohësh kur Gugash Magani shkoi te Flamurtari. “Unë në fakt e pata deklaruar me kohë dhe, pikërisht për gazetën tuaj, që ne do të kërkonim trajner tjetër dhe se largimi i Maganit na gjeti të papërgatitur. Unë nuk kam asgjë me drejtuesit, as me klubin, madje mund t’ju them se do të mbetem pjesë e Teutës. Kam punuar për disa vite në këtë klub dhe kam konsideratën më të mirë për këtë periudhë bashkëpunimi”, përfundoi elbasanasi.
Ahmataj u emërua në krye të stolit pas largimit të Maganit, duke përgatitur ekipin edhe në ndeshjet e Ligës së Europës, ku durrsakët kishin përballë skuadrën Kairat Almati, e cila kishte në përbërje futbollistë mjaft të njohur. Ndërkohë që ndryshimi i trajnerit vjen në një kohë një javë para se skuadra të niset drejt Malit të Zi për të zhvilluar fazën përgatitore. Ekipi do të qëndrojë për 10 ditë në këtë shtet, ku nën drejtimin e trajnerit të ri do të bëhen përgatitjet finale për sezonin e ardhshëm futbollistik.





