Ngjarja tragjike që tronditi Republikën Domenikane, ku 218 persona humbën jetën nga shembja e çatisë së një diskoteke, ka lënë pas dhimbje të thellë dhe histori që të thyejnë shpirtin. Një prej tyre është rrëfimi i Shailyn Peña, 17 vjeç, vajza e një prej viktimave.

“Babi ftoi edhe mamin që të shkonte me të atë natë, por ajo ndryshoi mendje në momentin e fundit. Ishte një shenjë… për mua është më tepër, është një bekim,” rrëfen ajo për BBC, ndërsa qëndron e mbështetur në rrënojat e vendit ku humbi jetën babai i saj.

Me sytë e mbushur me lot, Shailyn kujton momentin kur mësoi lajmin e kobshëm. “Një kushëri i imi është pjesë e forcave të kërkim-shpëtimit. Prej tij e mora lajmin. Vrapova drejt rrënojave. Nuk shihja njeri. Dëgjoja zëra nga poshtë grumbujve me beton… më ngjante me zërin e babait. Por jo, nuk ishte ai. Prita, por trupi i tij nuk doli i gjallë nga ai pirg gjakpirës.”

Sot ajo mbush 18 vjeç, por dita që duhej të ishte plot festë, e gjen të ulur mbi gurët e rrënojave, duke përfytyruar përqafimin dhe urimin e munguar të të atit.