Ish-i i saj është në mes të një divorci shumë të mediatizuar e të përfolur për raste dhune, por Winona Ryder del në mbrojtje të Johnny Depp. Ryder, duke folur për Time Magazine, i konsideron akuzat e Amber Heard ndaj Depp si “të paimagjinueshme”.

“Ai nuk ishte asnjëherë, e theksoj asnjëherë, agresiv ndaj meje. Sigurisht unë flas duke u bazuar në eksperiencën time personale, por unë e njoh atë si një djalë të mirë, shumë të përkushtuar ndaj njerëzve të tij të dashur”,- thotë Ryder.

Ryder u fejua me Depp kur ishte vetëm 19 vjeçe. Winona Ryder i bashkohet kështu partneres shumë vjeçare të Depp, Vanessa Paradis, e cila u shpreh kohë më parë për TMZ në mbrojtje të ish-it të saj.

Depp është akuzuar nga bashkëshortja e tij Amber Heard për përdorim dhune. Heard kërkoi rreth një muaj më parë divorcin, vetëm dy ditë pasi nëna e yllit hollivudian ishte ndarë nga jeta.