Do të jetë një Air Albania i mbushur në kapacitetin e tij maksimal më datë 20 nëntor, në ndeshjen e Shqipërisë ndaj Ishujve Faroe. Entuazismi është tejet i lartë tek tifozët kuqezinj të cilët presin që atë ditë ta kthejnë në një festë të madhe me skuadrën që pritet të kualifikohet për në Euro 2024. Biletat që dolën të enjten mbrëma në treg “avulluan” brenda disa pak orëve me tifozët që u përgjigjën menjëherë prezent në apel.

Aktualisht, e renditur në Grupin E, Shqipëria e Sylvinhos mban vendin e parë dhe i duhet vetëm një pikë për të siguruar matematikisht një biletë për në Gjermani. Më datë 17 nëntor, kuqezinjtë luajnë në transfertë ndaj Moldavisë ndërsa tre ditë më pas presin Ishujt Faroe në Air Albania, sfidë e cila siç u theksua edhe më lart pritet të kthehet në një festë të madhe për atë që pritet të jetë kualifikimi i dytë për Shqipërinë në finalen e një eventi madhor si Europiani.