Kosovë, 17 maj 2014 – Grupi “AirBerlin” do të shpërblejë kosovarin Nehat Llovca me dy bileta udhëtimi, në shenjë falënderimi për veprimin e tij, pesë ditë më parë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kosovari është ai që “arrestoi” personin që po kërcënonte se do të hidhte në erë avionin, e nisur nga Zyrihu, e që do të ulej në Prishtinë. Në bordin e avionit ndodheshin 150 persona.

Nehat Llovca u prit në një takim nga menaxheri kryesor i kompanisë “AirBerlin”.

Ka qenë “Koha Ditore” ajo që kishte raportuar tmerrin që kishin përjetuar pasagjerët e aeroplanit, kur një person me një shkrepëse, një shishe me lëng dhe me thirrje “Allahu Ekber” po kërcënonte se “do të shkojnin të gjithë te Allahu”.

Janina Zits, përfaqësuese e kësaj kompanie, i ka thënë gazetës se grupi “Air Berlin” në emër të tërë ekipit të fluturimit Zurih-Prishtinë, të së dielës, më 11 maj, dëshiron ta falënderojë Nehat Llovcën për përkrahjen dhe guximin e tij gjatë fluturimit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/