Mbrojtësi i Kombëtares, Arlind Ajeti ishte sot krah trajnerit Silvinjo në konferencën për media. Ajeti tha se ekipi kuqezi i ka të gjitha cilësitë për t’ia dalë nesër ndaj Çekisë.
Mbrojtësi kuqezi dha një mesazh shumë të rëndësishëm për të gjithë tifozët shqiptarë, që të respektojnë himnin çek dhe ekipin e Çekisë nesër në fushë.
Si veteran i ekipit, çfarë duhet t’i japësh nesër grupit? – Besoj i kemi të gjitha cilësitë e duhura që të arrijmë edhe kualifikimin në Botëror. Është rrugë e gjatë dhe besoj se nëse të gjithë japim maksimumin dhe lëmë shpirtin për Kombëtaren, do ta arrijmë edhe atë.
Mesazhi për tifozët – I bëjmë thirrje të gjithë tifozëve që të respektojnë nesër himnin e Çekisë. Pavarësisht se çfarë ka ndodhur në Çeki, ne duhet të tregojmë anën tonë të mirë.
Çfarë ekipi do të shohim nesër në fushë? – Shpresoj që ta shoh ekipin siç ishte në Gjeorgji, e dimë që është një ndeshje e vështirë dhe cilësitë e Çekisë. Jemi përgatitur mirë dhe shpresoj që t’ia dalim nesër.
Çfarë surprize do t’i rezervosh Choryt? – Chory ka bërë një ndeshje të mirë herën e parë. Është një lojtar fizik, rreth 2 metra i gjatë, e vështirë t’ia dalësh. Por shpresoj që nesër t’ia dalim ne në mbrojtje.
Sa e vështirë është Liga e Kombeve? – Janë të gjitha të mundura në futboll. Unë besoj në ekip, në cilësitë e të gjithë lojtarëve. Ne synojmë vendin e parë të grupit, të fitojmë këto dy ndeshje. Me cilësitë që kemi, mendoj se ia dalim.
A mund të përsërisim suksesin e vitit të kaluar ku fituam 3-0? – Besoj që mund t’ia dalim sërish, edhe pse kjo është një ndeshje tjetër. Çdo ndeshje nis nga 0-0 dhe ne i kemi cilësitë për të marrë sërish një rezultat pozitiv. Shpresoj t’ia dalim.
Cila është formula që ju gjithmonë jepni një performancë të nivelit të lartë – Ndjenja në Kombëtare është gjithmonë ndryshe. Të jesh pjesë e Kombëtares është shumë e veçantë, ata që janë pjesë e dinë.
Cheluska – Kemi folur edhe për këtë ndeshje. Ai dëshiron që të fitojë Çekia, ne duam që të fitojmë ne. Por të shohim nesër.