Një vajzë 10-vjeçare është nxjerrë e gjallë nga rrënojat në Pescara del Tronto, një nga tri qytetet që janë shkatërruar keq nga tërmeti në Italinë Qendrore. Në mbrëmje, tri gra vraponin në atë çka ka mbetur nga rruga e qytezës dhe bërtisnin “Ajo është gjallë, ajo është gjallë”.

Shefi i Zjarrfikësve, Danilo Dionesei, ka konfirmuar se pas 17 orësh vajza është nxjerrë e gjallë nga nëntoka dhe është dërguar në spitalin më të afërt. Ai nuk dha shumë detaje për gjendjen e saj. Motra e saj nuk ka mundur të mbijetojë.

Pas çdo ore që kalon, rëndohet edhe bilanci i viktimave që lanë pas seria e tërmeteve të fuqishme. Sipas zyrtarëve të vendit fqinj, numri i viktimave deri më tani është më tepër se 247 ndërsa 368 janë të plagosur, raporton “CNN”.