Ajo kërkon të mirëkuptohet nga bashkëshorti, të gjejë tek njeriu që ka zgjedhur të ketë përkrah një shok dhe një mbështetës. Por e ka thuajse të pamundur. Në vend të dashurisë përballet me mospërfilljen, në vend të respektit përballet me dhunimin psikologjik, në vend të përkrahjes përballet me dhunën fizike.

Alina, heroina e romanit “Ajo” të autores Alba Dajlanaj është një grua që duket se del nga raportimet thuajse të përditshme të gazetarëve në median e shkruar dhe vizive për martesat problematike, që për fat të keq shpesh kthehen në ngjarjen e ditës.

Titullohet “Ajo”, sepse romancierja e re tenton që çdo grua të gjejë pak nga vetja apo historitë e mikeve e shoqeve në faqet e romanit të saj të parë. Me një tematikë shumë aktuale, autorja tenton të hedhë dritë mbi marrëdhëniet konfliktuale bashkëshortore brenda 4 mureve të shtëpisë, mbi shpresat e një nëne të re që krahas ndërtimit të familjes kërkon të jetë e realizuar edhe në jetën profesionale. Bashkëshorti i saj, dikur viktimë e dhunës, shndërrohet në ushtrues të dhunës, duke nxjerrë nga errësira e subkoshiencës së tij makthet më të këqia. E dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht, Alina përpiqet të largohet nga kjo lidhje toksike dhe shpëtimin e gjen tek dashuria. Por a do ta ndihmojë dashuria e re të ndihet më e plotësuar dhe e respektuar si grua dhe si femër? Si do të reagojë bashkëshorti i saj kur të mësojë për këtë lidhje? A do mundë Alina të realizojë planet që gjithnjë i ruante në sirtar dhe deri më tani s’kishte pasur guximin t’i vinte në jetë?

Përgjigjet e të gjitha këtyre pyetjeve marrin përgjigje në faqet e romanit “Ajo”.

“DurrësLajm” zhvilloi një intervistë me autoren Alba Dajlanaj për të zbuluar më shumë mbi këtë prozatore të re, që pas librit me poezi “Në kërkim të një ëndrre” vjen me romanin e saj të parë. Fryt i 3 viteve punë, romani “Ajo” synon të sjellë një copë realiteti nga përditshmëria e familjeve shqiptare, nga përpjekjet e grave dhe vajzave për t’u realizuar profesionalisht, për të qenë më të lira e të pavarura, më të zonjat e vetes.

M.B.