Visheshin plot elegancë, merrnin pjesë në martesat që celebroheshin në kishat në qendër të kryeqytetit italian, Romë, por qëllimi ishte një tjetër; vjedhja e automjetit të sapomartuarve, apo të të ftuarve.

Karabinierët kishin marrë njoftime të shumta për vjedhje që kryheshin gjatë kohës, kur celebroheshin martesa, dhe për këtë kishin intensifikuar hetimet për të ndaluar autorët, raporton Il Messaggero.

Në pranga kanë rënë tre burra dhe një grua, tre prej të cilëve rumunë dhe një italian, të gjithë me moshë nga 30-35 vjeç.

Gjatë hetimeve, karabinierët kanë zbërthyer edhe mënyrën sesi funksiononte banda e hajdutëve. Këtyre të fundit u janë sekuestruar edhe mjetet me të cilat realizonin grabitjet, si dhe disa nga objektet e vjedhura dasmorëve. 

M.B.