Aleanca KuqeZi anulloi aktivitetin e saj në Athinë, me rastin e themelimit të degës së saj. Shkak u bë presioni i neonazistëve të “Agimit të Artë”, por edhe ajo që AK e ka cilësuar si “neglizhenca ekstreme e policisë greke”.
“AK kishte planifikuar prej disa ditësh organizimin e një takimi me qindra emigrantë shqiptarë në qendër të Athinës me rastin e themelimit të degës së AK në Greqi. Policia greke ka refuzuar lejen dhe garantimin e sigurisë për zhvillimin e këtij aktiviteti dhe ka paralajmëruar organizatorët e takimit se nuk do të mbajnë përgjegjësi për incidentet e pritshme dhe për jetën e të gjithë pjesëmarrësve.
Ndërkohë katër deputetë të partisë naziste greke ‘Agimi i Artë’ kanë shkuar në shtëpitë e disa aktivistëve të AK duke kërcënuar familjet e fëmijët e tyre. Ndaj dhe për AK është shumë herë më e rëndësishme jeta e emigrantëve shqiptarë në Greqi se sa zhvillimi i një aktiviteti”, – thuhet mes të tjerash në njoftimin për shtyp të kësaj partie.