Aleanca Kuq e Zi ka denoncuar tre ditë më parë mungesën e të dhënave të etnisë dhe fesë, gjashtë muaj pas përfundimit të procesit të regjistrimit. Në një deklaratë për mediat, AK shprehet se të dhënat po mbahen peng nga Athina.
“Sot pasi kanë kaluar gjashtë muaj, shqiptarët ende nuk kanë asnjë informacion zyrtar për këto dy pyetje sepse Athina po mban peng saktësinë e të dhenave dhe po nënshtron qeverinë shqiptare me shpresë manipulimi sipas interesave Helene. Qeveria shqiptare ka dërguar drejt Athinës raportin zyrtar të të dhënave dhe është në pritje të direktivave helene për të t’i publikuar të dhenat e deformuara përpara kombit tonë”, thuhet në deklaratën e AK.
Duke kërkuar transparencë për procesin, AK thekson se qeveria u druhet shifrave që kanë dalë. “Aleanca Kuq e Zi i bën thirrje qeverisë Berisha që të publikojë sa më parë të dhënat zyrtare të “censusit” si dhe të shpjegojë arsyet e mospublikimit të deritanishëm e cila ka sjellë shkelje të afateve të përcaktuara në ligj. Aleanca Kuq e Zi kërkon që qeveria të bëjë transparencë për të gjithë procesin e “censusit” për të cilin u shpenzuan plot 14 milionë euro, vetëm për t’i plotësuar haraçet Athinës Zyrtare”, thuhet në deklaratë.