Aktivistët e Aleancës Kuqezi, të drejtuar nga kryetari Kreshnik Spahiu, kanë bërë paraditen e sotme një vizitë në maternitetin “Koço Glozheni”, në Tiranë.

Mësohet se përmes kësaj vizite Aleanca ka prezantuar nismën “Krenarë për emra shqiptarë”, për fëmijët që vijnë në jetë. 

“Fëmijët tanë duhet të mbajnë emra shqiptarë. Emri është element i identitetit personal dhe kombëtar”, ka thënë Spahiu. 

Me nismat me karakter patriotik Spahiu ka hyrë prej kohësh në fushatën elektorale për zgjedhjet e 2013-ës, me objektivin e vetëm për të rrëzuar kryeministrin Berisha. 

 

Nga Fieri, ku ndodhej  ditë më parë, Spahiu theksoi se ka ardhur momenti që shqiptarët t’i japin fund politikës së kryeministrit aktual, i cili sipas tij, e ka fokusin tek pasurimi personal përmes grabitjes së pronave të shqiptarëve. 

”Ne nuk mund të lëmë që kjo qeveri të vjedhë dhe të kthejë në skllevër të regjimit të gjithë shqiptarët. Lekët e pasurimeve, e konçesioneve shkojnë për të blerë tokat e pasuritë e shqiptarëve, kjo qeveri do të mashtrojë një popull të varfër. Por ka ikur koha kur pensionistët mund të gënjehen me një gjel deti. Kockat e tyre janë gjithçka ky kryeministër do të marrë”, deklaroi Spahiu. 

Ai u shpreh se, AK pasqyron dëshirën e shqiptarëve për bashkim kombëtar dhe nga krahu tjetër kundërshton e përbuz mashtrimet që bëhen në kurriz të kësaj aspirate. 

”AK mund të mbrojë kauzën e Çamërisë, bashkimit të shteteve shqiptare, mund të realizojë aspiratat e parashikuara në kushtetutë, për bashkim dhe dinjitet kombërtar”, tha Spahiu. 

“Shqipëria ka pritur për një shekull lindjen e AK-së, Fieri dhe e gjithë Shqipëria do e mbështesin pasi kjo është mundësia e fundit për të realizuar aspiratën shekullore për bashkim kombëtar dhe të gjithë shqiptarëve në rajon”, shtoi kryetari i AK.