TIRANE– Aleanca Kuq e Zi ka vijuar sërish sot me atë që e ka cilësuar fushata për inaugurimin e mashtrimeve të shtetasit Sali Berisha. Mbështetësit e kësaj force politike u ndalën sot në stadiumin “Qemal Stafa”, ku simbolikisht prenë shiritin e inaugurimit të stadiumit, rikonstruksioni i të cilit u premtua nga kryeministri, por që në realitet nuk ëhstë bërë asgjë.
Sekretari i Marrëdhënieve me Publikun në Aleancën Kuq e Zi, Rezar Balla, deklaroi se AK po pret shiritin e stadiumit të ri kuq e zi që nuk u ndërtua nga qeveria.
“Një stadium i premtuar nga Sali Berisha për 100 vjetorin e pavarësisë, po që në jemi të bindur që premtimi i Sali Berishës nuk do të bëhej realitet as në vitin 2112 në 200 vjetorin e pavarësisë, sepse shqiptarët tashmë janë mësuar me mashtrimet elektorale të Sali Berishës. Me miliona euro u shpenzuan për projektin e stadiumit të ri kuqezi por asnjë euro për 1 tullë nuk është hedhur konkretisht”,- deklaroi Balla.
Sipas tij, Sali Berisha meriton “topin e zi të mashtrimeve” pasi me stadiumin e ri kuqezi ai mashtroi me mijëra tifozë.
Balla tha se Aleanca Kuq e Zi në programin e saj qeverisës për sektorin e sportit ka të programuar dhe të detajuar ndërtimin e tre stadiumeve olimpike brenda 4-vjeçarit të parë të qeverisjes kuqezi.