TIRANE- Aleanca Kuq e Zi ka reaguar sot pas vendimit të djeshëm të Kolegjit Zgjedhor për ngritjen e 89 ZAZ-ve në të gjithë vendin. 

Nëpërmjet një deklarate, sekretari i Marrëdhënieve me Publikun, Rezar Ballanënvizoi se ky është një vendim ogurzi për zgjedhjet. 

“Dje u bëmë dëshmitarë të etjes së pashëmbullt të partisë-shtet e cila tregoi se është e gatshmë për të bërë gjithcka që të mbajë pushtetin me cdo kusht dhe metodë. Ditën e djeshme ra këmbana e parë e alarmit se zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 Qershorit janë në rrezik dhe larg standardeve të kërkuara nga Bruskeli dhe insitucilonet ndërkombëtare”. 

Sipas Ballës, “Partia shtet nisi ditën e djeshme një lojë të pisët duke vënë nën presionin politik gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor, për të zbuluar se cilët janë ata gjyqtarë që do të zbatojnë ligjin dhe ata që do të zbatojnë ligjin e partisë-shtet të etur për pushtet. Kolegji Zgjedhor mori ditën e enjte një vendim mbi shtimin e zonave të administrimit zgjedhor”. 

Aleanca Kuqezi akuzoi më tej kryeministrin Berisha se është “një frikacak që trembet nga vota e lire”. Sipas tyre, “Berishën duhet ta largojmë para 23 qershorit”.

“Aleanca Kuq e Zi i bën apel dhe thirrje mbarë institucioneve ndërkombëtarë në vendin tonë dhe OSBE/ODIHR të jenë të vëmendshme përballë masakrës elektorale që partia-shtet po orkestron për zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit”, thekson Balla.

Vendimi i Kolegjit Zgjedhor u mor ditën e djeshme, pas pranimit të kërkesës së administratës së KQZ-së, për rritjen e numrit të KZAZ në të gjithë vendin. PS e vlerësoi vendimin si interpretim të gabuar dhe që kaperceu kufijtë e ligjit. 

PS sygjeroi ngritjen e 75 ZAZ në të gjithë Shqipërinë, ndërsa PD sygjeroi të ngrihen 100 ZAZ. Rë dyja këto kërkesa u rrëzuan gjatë mbledhjes së datës 21 dhjetor.