Akademia e Arbitrimit ul siparin e edicionit të parë, një prioritet absolut i FSHF-së. 75 të rinj e të reja nga Tirana dhe qytete të tjera janë diplomuar sot në përfundim të dy fazave trajnuese në teori dhe praktikë të udhëhequr nga lektorë të ndryshëm.

Një klasë e re arbitrash tashmë është në dispozicion të kolegjiumeve të gjykimit, produkt tërësisht i Shkollës së Arbitrimit.I pranishëm në ceremoninë e shpërndarjes së diplomave ishte edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka i cili inkurajoi të gjithë pjesëmarrësit, të rinjtë dhe të rejat që ndoqën këtë kurs dhe nisën tashmë një karrierë më vete, atë të arbitrimit:

"Tashmë prej shumë vitesh edukimi i të gjitha niveleve të arbitrave realizohet sipas standardeve që kërkon UEFA dhe FIFA.  Akademia e Arbitrimit, është një shkolle e re e hapur së fundmi për të gjithë ata të rinj dhe të reja që duan të fillojnë dhe të vazhdojnë profesionin e vështirë, por shumë të bukur të arbitrit. FSHF ka këmbëngulur dhe do të vijojë të angazhohet fuqimisht në të ardhmen për të rritur në maksimum cilësinë e gjykimit në vend. Desha të evidentoj edhe punën e mirë të koordinatorit të projektit, Sokol Jareci, të vetë z.Kastrati, z.Brahja, por edhe lektorëve të ndryshëm që ju kanë asistuar gjatë ditëve të trajnimit apo edhe referimit. Urimet më të mira!"

Më pas u zhvillua edhe ceremonia e ndarjes së diplomave, për 75 kursantët e rinj, prej të cilëve 10 ishin vajza. Gjatë viteve të fundit edukimit të arbitrave i është shtuar dhe një kategori tjetër, ajo e femrave, të cilat pa asnjë lloj diferencimi janë pjese e seminareve që sektori i arbitrimit zhvillon gjatë sezonit futbollistik.

Akademia e Arbitrimit tashmë është një realitet konkret dhe do të vazhdojë çdo vit, për afrimin e sa më shumë të rinjve dhe të rejave në fushën e arbitrimit. Të 75 të diplomuarit kanë nisur prej kohësh të aktivizohen në kampionatet e moshave dhe do të vijojnë të jenë pjesë e arbitrimit në aktivitetet zyrtare të FSHF.