Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Akademi për barinj e peshkatarë ka në të gjithë botën. 

Nga foltorja e Kuvendit, teksa i përgjigjej deklaratës së deputetit Fatmir Mediu, Rama tha se Akademitë në lidhje me këto fusha janë hapësira të krijuara në të gjithë botën për të angazhuar peshkatarë e barinj dhe për t’i adaptuar e përshtatur ata me kohën. Ndërkohë që 

Rama fliste, në sallë komentonin demokratët, por pa mikrofon ndezur, duke mos u kuptuar se çfarë thonin. 

Gjithsesi kryeministri u kërkoi të mos talleshin e të mos qeshnin, pavarësisht se ai nuk ishte specializuar për ekonomi ashtu si Mediu, por ishte thjesht një piktor.

Pasi tha këtë të fundit, demokratët përmendën fjalën ‘zhgarravinë’, ndërsa kreu i qeverisë tha se zhgarravinat kanë jetën e tyre, por njerëzit duhet të shqetësohen se mos marin formën e tyre kur flasin.

Pjesë nga replikat:

Edi Rama: Se fole sikur po ndaje kopenë me dele para gostisë….

(Dëgjohen zëra nga salla)

Edi Rama: Po po mir si kalove…të flas edhe për atë unë, meqë ju ka ngelur mendja aty tek Akademia e Barinjve, ka në të gjithë botën…Akademia e çobenjve siç thoni ju. Akademia e barinjve e peshkatarëve janë në të gjithë botën, jo me atë kuptim që e merrni ju dhe talleni, janë hapësira ku angazhohen dhe apatohen këto profesione me kohën e re.

(Qeshje në sallë)

Edi Rama: Mos qeshni me vete se këtë flet vetë qesh vetë e keni si linjë partie ju, ju vjen nga lart poshtë. Të kalojmë tek kjo akademi e vogël që po bëni ju këtu, se është turp, tjetri thotë jam professor akademie, unë jam thjesht një piktor, por për shkak të detyrës mësoj çdo ditë dhe nuk qesh nuk flas vetë por maksimumi flas që të qeshin të tjerët dhe zhgarravis.

Salla: Po, po zhgarravit…

Edi Rama: Çfarë problemi ke ti me zhgarravinat që kanë jetën e tyre, fillon e mbaron tek një copë letër. Njerëzit duhet të shqetësohen që të mos marrin formën e zhgarravinës kur flasin. Po jua kam thënë kini kujdes se ju jeni bam me këmbë e bam me duar…