–         Skandali/ Fushatë elektorale në sajtin ku është titullar Gudar Beqiraj, shkencëtar militant, ish-anëtar i KQZ-së në zgjedhjet e majit 1996

TIRANË, 20 qershor 2013 – Kryetari i Akademisë së Shkencave Prof. Dr. Gudar Beqiraj, ish-anëtar i KQZ-së famëkeqe të vitit 1996, ka njoftuar se më 7-10 tetor 2013, në Tiranë do të zhvillohet një kongres ndërkombëtar nën kujdesin e Kryeministrit Prof. Dr. Sali Berisha (shih faksimilen dhe http://www.akad.edu.al/index.php?option=com_content&view=article&id=81&Itemid=71).

Natyrisht, askujt nuk i ndalohet të ketë parapëlqimet e veta politike (dihet që z. Beqiraj është shkencëtar militant i PD-së), por është tejet qesharake për autoritetin e një institucioni të tillë si Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë të “emërojë” Prof. Dr. Sali Berishën Kryeministër pas zgjedhjeve të 23 qershorit.

Madje z. Beqiraj bën fushatë elektorale në një institucion të shpolitizuar dhe kjo vërehet lehtësisht nga fakti se mes rreshtave me gjuhë të thatë zyrtare, është futur ky paragraf retorik-propagandistik: “Mbajtja e Kongresit Ndërkombëtar [i 7-të i Shoqatës Ballkanike të Gjeofizikantëve] në Tiranë dëshmon për vlerësimin që i bëhet Shqipërisë, gjeofizikantëve shqiptarë, arritjeve dhe kontributit të tyre në zhvillimin e gjeoshkencave në Shqipëri e më gjerë në botë”.

Në galerinë e sajtit janë vendosur dhe dy fotografi të Berishës në veprimtaritë e Akademisë.

Peshëngritës, “Nderi i Akademisë së Shkencave”

Pas titullit të kampionit të Evropës në pedanën e Antalias, Erkand Qerimaj është vlerësuar edhe me titullin “Nderi i Akademisë së Shkencave” në Shqipëri. Ceremonia për peshëngritësin shqiptar është zhvilluar në ambientet e Akademisë së Shkencave, ku të pranishëm ishin disa prej figurave më të larta të këtij institucioni, si edhe zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj.

Pas propozimit të bërë nga Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, dhe pranimit nga Akademia e Shkencave me në krye Gudar Beqirajn, Erkand Qerimaj bëhet sportisti i parë që merr titullin “Nderi i Akademisë së Shkencave”. /Publikuar më 16 prill 2012 nga mediet shqiptare/

Analfabetë funksionalë edhe akademikët

Më 13 qershor “Dyrrah”-u ka shkruar se krerët e Akademisë së Shkencave nënshkruajnë symbyllur shkresa ku është zhdukur shkronja “ë”, madje dhe kur dokumenti zyrtar ka gabime pikësimi apo drejtshkrimore.  Nga ana tjetër, shkakton habi të dyfishtë rasti i Akademisë së Shkencave kur e ballafaqon me njoftimin e Shërbimit Informativ të Shtetit, që tregon më tepër kujdes akademik se sa enti botor që quhet Akademia e Shkencave. Është fyerja më e madhe që i bëhet njërit prej themeluesve në vitin 1972 të Akademisë, Eqrem Çabej (1908-1980), babai i drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Me këtë rast tërheqim vëmendjen dhe për shkujdesjen që tregohet nga entet botore për vendosjen në kompjuterë të programit të vetëqortimit automatik për gjuhën shqipe. Këtë gjë e di mirë kryetari Beqiraj.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/