Gudar Beqiraj është sërish kryetar i Akademisë së Shkencave. Me 28 vota pro dhe 3 kundër anëtarët e Asamblesë zgjodhen Beqirajn si kryetarin e ri, i cili më herët mbante postin e zv.kryetarit.
Duket si një rrokadë ajo mes dy posteve kryesore në këtë institucion pasi ish-kryetari Muzafer Korkuti, tanimë do të mbajë postin e numrit dy të këtij institucioni.
Pak minuta para fillimit te procesit të cilin e quajti farsë, kryeminstri Edi Rama reagoi duke paralajmeruar një përplasje finale me Akademine e Shkencave.
“Nese Akademia e Shkencave nuk reformohet nuk do të marrë asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit”, shkruante Rama.
Kreu i qeverisë e ka parë të domosdoshëm ndryshimin në këtë institucion. Ai ka shkuar me tej duke thënë se do t’i merret edhe godina Akademise nëse nuk reformohet.
Por pak mninuta pas rizgjedhjes i pyetur për reformën në Akademi, kryetari i ri tha se institutet nën varësinë e saj janë ato që do të sjellin reformën.
“Duke patur parasysh eksperiencën e madhe që kam në Akademinë e Shkencave jam plotësisht dakord e do të jemi bashkëpunues me qeverinë për të realizuar reformën e me siguri kjo reformë do e çojë Akademinë përpara. Akademia duhet të ketë institucionet e saj e me këtë Akademia do të ndihet vivaçe, e gjallë, e tillë që të ketë produkt. Akademia e Shkencave duhet të jetë produktive për të realizuar detyra të ndryshme që ka qeveria shqiptare për ekonominë”, tha Beqiraj.
Por, menjëherë pas publikimit të rezultatit, kryeministri deklaroi realizimin e asaj që kishte premtuar pak orë më parë: ndërprerjen e menjëhershme të fondeve për Akademine e Shkencave.





