Në Akademinë e Sigurisë u zhvillua ceremonia e certifikimit të oficerëve të rinj të sigurisë në shkolla mbi trajnimin e marrë për “Parandalimin e ektremizmit të dhunshëm në shkolla”. Gjatë tre ditëve, u organizua trajnimi bazë për 128 oficerë të rinj të sigurisë në institucionet arsimore parauniversitare në Shqipëri. Ky trajnim është pjesë e Programit Bazë të detyrueshëm për oficerët e rinj të sigurisë dhe orienton profilizimin e tyre për ndërhyrje të efektshme, në ndihmë të stafit pedagogjik në shkolla, në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Koncepti i oficerit të sigurisë në shkolla u prezantua përmes iniciaticës së Qeverisë Shqiptare për shtimin e këtij pozicioni të rëndësishëm për identifikimin dhe parandalimin e problematikave brenda ambienteve të shkollës dhe fuqizimin e standardeve të sigurisë. Kontigjenti i parë prej 150 oficerësh sigurie është trajnuar si pjesë e specilizimit profesional dhe aktualisht janë pjesë e ekipeve të shkollave të mesme në të gjithë Shqipërinë. Këtij kontigjenti i shtohen 128 oficerë të rinj sigurie, të cilët janë pjesë e Programit Bazë dhe specifikisht, kursit 3-ditor për parandalimin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Ky program mësimor u përgatit nga ekspertë në fushat e të drejtave të njeriut dhe sigurisë të Institutit për Aktivizëm dhe Ndryshim Social, ekspertë të nivelit të lartë të Qendrës Kombëtare kundër Ekstremizmit të Dhunshëm të Ministrisë së Brendshme, në kuadër të programit të mbështetur nga Ambasada e Vendeve të Ulëta, në Tiranë.

Në ceremoninë përmbyllëse morën pjesë Drejtori i Qendrës Kundër Ektremizmit të Dhunshëm, Koordinatori Kombëtar, Denion Meidani, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit Erzen Tola, Rektori i Akademisë së Sigurisë Ilirjan Mandro, Clarisse Pasztory, Zëvendësambasadore e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ebi Spahiu, përfaqësuese e Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Shqipëri, Tonin Vocaj, Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, trup diplomatik i akredituar në Shqipëri, shoqërisë civile dhe medias, etj.

Trajnimi i Oficerëve të Sigurisë në shkolla për çështjet e radikalizmit dhe ektremizmit të dhunshëm do të shtrihet më tej dhe gjatë vitit 2023 njëkohësisht do të koordinohen dhe aktivitete të përbashkëta ndërinstitucionale për këtë qëllim.