Si institucion i rëndësisë së veçantë, përballimi i sfidave të sigurisë dhe i emergjencave civile përbën fokus kryesor të Autoritetit Portual.
Në vitet e fundit kemi investuar shumë në sisteme dhe pajisje profesionale. Tani duhet të sigurojmë që ekspertiza e krijuar dhe metodat e punës të çertifikohen sipas standarteve kombëtare dhe evropiane.
Me këtë synim APD dhe Qendra e Ekselencës për Çështjet Detare (CEMA) kanë bashkuar forcat me Akademinë e Sigurisë përmes një marrëveshje të nënshkruar dje në ambjentet e Portit të Durrësit.
Forca e Sigurisë e Autoritetit Portual dhe ajo e repartit zjarrfikës janë dy struktura të cilat kanë një rol thelbësor në mbarëvajtjen e operacioneve, jo vetëm në port por edhe në qytet, ndaj shihen me prioritet në aspektin e rikualifikimit të kurrikulave aktuale.
Akademia e Sigurisë si i vetmi institucion kompetent në vend, ofron mbi 79 programe kualifikimi në fushën e rendit dhe sigurisë dhe bashkëpunon me tetë akademi në Bashkimin Europian.
Në këtë kontekst Qendra e Ekselencës për Çështjet Detare (CEMA) po luan një rol thelbësor në ndërtimin e kapaciteteve për profesionistët e detit duke funksionuar si një pikë takimi midis transportit detar dhe sektorit akademik.
Falë kësaj marrëveshjeje, Akademia e Sigurisë do të mundësojë hartimin e kurrikulave të dedikuara dhe programe trajnimi të cilat do të ndihmojnë Portin e Durrësit në tërësinë e ciklit rekrutim – trajnim – certifikim të personelit të sigurisë dhe repartit zjarrfikës.
“Këto programe do të finalizohen me certifikata të njohura ndërkombëtarisht “, theksoi gjatë takimit Rektori i Akademisë së Sigurisë, z. Bilbil MEMA.
“Dinamika e operacioneve portuale dhe përgjegjësia jonë sociale për të kontribuar në qytetin e Durrësit, na detyrojnë të kemi një personel me gatishmëri të lartë. Falë këtij bashkëpunimi me Akademinë e Sigurisë synojmë që ekipet e Emergjencave Civile dhe Sigurisë Portuale të mund të çertifikohen si trupë reagimi të menjëhershëm edhe ndaj fatkeqësive natyrore” , u shpreh Drejtori i Autoritetit Portual, Pirro Vengu.