“Edukimi vlen më shumë se fitorja”.
Kjo moto që është mjaft e dukshme në fushat stërvitore të ekipeve të moshave të Akademisë Teuta është një mesazh kuptimplotë për fëmijët dhe të rinjtë, që futbollit i dedikohen me përkushtim çdo ditë.

Në krye të Akademisë Teuta, prej 5 muajsh tashmë është Adrian Dedja, ose më saktë Ani Gym, siç njihet prej vitesh në Durrës. Me rreth 30 ekipe moshash, që së bashku numërojnë pak a shumë 700 futbollistë të rinj, Akademia Teuta është aktualisht më e madhja në Shqipëri.
I njohur në qytetin bregdetar për rrjetin e palestrave “Ani Gym”, me të cilat identifikohet tashmë, por edhe me kampin veror, që gjatë muajve të verës bën bashkë qindra vogëlushë nga Durrësi dhe jo vetëm, Adrian Dedja ka synuar përgjatë këtyre muajve që këtë frymë ta përcjellë edhe tek Akademia Teuta që drejton.

Në momentin që Dedja mori përsipër të jetë drejtori i Akademisë Teuta përparësi e punës së tij dhe stafit ka qenë rritja e numrit të futbollistëve, të angazhuar në ekipet e moshave. Por jo vetëm kaq.
Ekipet zinxhir janë bërthama që në të ardhmen do të furnizojë me talente të reja ekipin e parë të Teutës, prandaj përgatitja sa më e mirë fizike dhe profesionale e të fëmijëve dhe të rinjve është hapi primar për të evidentuar futbollistët premtues të së ardhmes.


Afrimi i specialistëve pasionantë dhe të përkushtuar në drejtimin e skuadrave, futja e video-analizës në çdo ekip që merr pjesë në gara, krijimi i dosjeve stërvitore, ngritja e databazave për çdo ekip si dhe afrimi i personelit shëndetësor të kualifikuar e kanë përmirësuar ndjeshëm jo vetëm anën profesionale, por edhe dëshirën për të bërë më të mirën dhe këto sipas Dedjas janë “armët” më të forta të Akademisë, që prej muajsh ka një presidencë të re, të fokusuar për të ngritur klubin dhe ekipet zinxhir në elitën e futbollit shqiptar.


Ndërkohë përmirësimi i infrastrukturës stërvitore për ekipet e moshave, të realizuara gjatë muajve të fundit nën presidencën e re të klubit ka ndikuar në përmirësimin e cilësisë sportive dhe performancën tekniko-taktike.



“Çdo sukses që kemi arritur dhe realizuar në Akademinë tonë i dedikohet presidencës Troplini dhe mundit e pasionit të trajnerëve dhe stafit që merret me drejtimin e skuadrave.
Puna jonë tek Akademia Teuta fillon me ekipet zinxhir nga mosha 6 deri në 19 vjeç. Sot ne i kemi të gjitha ekipet e akadenisë sonë në aktivitetet kombëtare dhe rajonale. Pa frikë mund të them se Akademia Teuta, falë mundit dhe punës serioze, ia ka dalë që të grumbullojë jo vetëm futbollistë nga Durrësi, por edhe nga qytete të tjera të Shqipërisë. Mendoj se jemi në rrugë të mbarë dhe përparësia jonë përveç ngritjes së nivelit të përgatitjes së çdo futbollisti është edhe edukimi dhe rritja e nivelit intelektual të futbollistëve dhe stafit drejtues”,- thotë Dedja.
Viti i ri që sapo ka nisur vjen me objektiva të reja dhe të qarta për të gjithë stafin e Akademisë dhe futbollistët pjesë e saj.
Puna mjaft e mirë e bërë deri më tani pritet të shpërblehet me rezultate konkrete në fushat stërvitore dhe kampionatet e moshave, si dhe përballjet kombëtare dhe rajonale.
Sporti edukon disiplinë dhe përkushtim, një jetesë të shëndetshme dhe shpirt garues. Pikërisht parime që synohen të kaliten ditë pas dite në ndërgjegjen e çdo të riu të përkushtuar ndaj futbollit janë fitorja më e madhe e të gjithë stafit drejtues të Akademisë Teuta.
E jo më kot, motoja që ndodhet në çdo fushë stërvitore “Edukimi vlen më shumë se fitorja” merr aq shumë kuptim!
M.B.





