Nga data 16 deri më 20 prill, në qytetin e Vlorës u zhvillua Kampionati Kombëtar në boks për grupmoshën U-14, ku morën pjesë 14 ekipe nga e gjithë Shqipëria.

Akademia “Teuta” përfaqësoi Durrësin me boksierët e saj të rinj dhe arriti një sukses të jashtëzakonshëm, duke u renditur në vendin e dytë në renditjen kombëtare.

Tre boksierë të akademisë u shpallën kampionë kombëtarë, ndërsa spikati në mënyrë të veçantë Graciano Shoshi, i cili u shpall boksieri më i mirë i kampionatit.

Shoshi fitoi dy ndeshje me Knock-Out, duke detyruar kundërshtarët të dorëzohen – njërin në raundin e parë në ditën e dytë të kampionatit dhe tjetrin në finalen e madhe, në raundin e dytë. Për këtë performancë mbresëlënëse, atij iu dorëzua diploma dhe medalja nga kryegjyqtaria si sportisti më i mirë i U-14 për vitin 2025.

Kryetrajneri Enton Kikrri u shpreh i kënaqur me paraqitjen e ekipit dhe falënderoi ndihmëstrajnerët Gestjan Domi dhe Ardit Murja, si dhe vetë sportistët për përkushtimin dhe pasionin e treguar.

Ai vlerësoi gjithashtu mbështetjen e prindërve, pa të cilët, siç tha ai, “ëndrrat e këtyre fëmijëve drejt një sporti të pastër nuk do të ishin të realizueshme”.