I nderuar kryeministër i Shqipërisë z.. Edi Rama,
E dëgjova me vëmendje fjalën Tuaj në mbledhjen e Akademisë së Shkencave dhe për të qenë i drejtpërdrejtë më bëri përshtypje thënia Juaj se "duhet të kishim bërë më shumë për të pasqyruar realitetin dhe zhvillimet bashkëkohore".
Dyshova se e keni ngatëruar Akademinë me portalet.
Në mes të kësaj dileme, më erdhi Kristoja i cili e la më vonë se unë botën Tuaj dhe më shpjegoi se punët nuk janë më si më parë. Ti, kishe kurajo të kundërshtoje edhe Enver Hoxhën, më tha, ndërsa ky të lidh tek buka e gojës, kështuqë edhe ata nga ne që kanë mbetur andej, nuk e kanë të thjeshtë.
Pastaj vramë mendjen bashkë me Kriston dhe pasi u përpoqëm arritëm në konkluzionin se për ku e hidhnje llafin dhe mbase kishe pak të drejtë. Përshembull asnjë akademik nuk ka pasqyruar idenë e madhe të kanabizimit të vendit. Asnjë libër nuk është shkruajtur për dallimet mes farës vendase dhe asaj vietnameze. Asnjë monografi sesi të dridhet cigarishtja e hashashit.
Mor po asnjë për be nuk kanë bërë anëtar akademie ndonjë nga këta kultivonjësit. Ose t’i kishin dhënë titull doktor për efektivitet në transport dhe ulje të koefiçentit të humbjeve gjatë transportit këtyre djemve që merren me këtë punë dhe vërtet nuk dinë të shkruajnë, por punën e njohin ama.
Një fushë tjetër ku mund të jepte kontributin e vet akademia është çështja e personaliteteve të shquara dhe pasqyrimi i jetës dhe eksperiencës së tyre në botimet tona. Ndaj Ju keni të drejtë. Nuk kemi asnjë botim për veprën dhe jetën e Gjushit të Durrësit përshembull. Apo të Lalës së Elbasanit.
E pra nëse kjo akademi ka botuar për heronj dikur, duhet të ishte adaptuar me kohën. Nuk kishte pse e linte atë djalin që e bëre deputet zotrote, atë kaubojsin, që të rropatej dhe t’i futej edhe një herë abetares për të shkruar autobiografinë "Jeta ime'. Duhet të ishte marrë një akademik me atë punë, jo vetëm të shkonin e ta dëgjonin.
Në kohën tonë akademia nuk merrej me politikë. Madje edhe Enveri, sado diktator që ishte, i vinte zor të na kërkonte lavde, ndaj bëri një institut më vete për atë punë.
Por ama, ti ke gjithë të drejtën të kërkoje nja dy studime për "Kurbanin".
Meqë përmendëm prapë Enverin, duhet të them se ai ka shumë respekt për ty. Kur më vjen nganjëherë për vizitë si gjirokastritë të vjetër që jemi më thotë se "kam respekt për atë djalë se nuk është si puna ime që më impresiononin shkencëtarët, por i ka vënë në rresht".
Këtu po e mbyll. Kristua më thotë që e zgjata shumë se ti thua që nuk lexon, ndaj nuk do ta lexosh as këtë letër. Mbase e ke mirë.
Eqerem Çabej
Akademik prej vërteti /Dritare.net