Lahuta si pjesë e pandarë e këtij eposi së kreshnikëve është një instrument muzikor i domosdoshëm për gjallesën e këtij Cikli, por është edhe vepër arti arkaik tradicional popullor që mbart subjekte mitike të panteonit të lashtë iliro-shqiptar.
Akademiku Vasil Tole në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare shpjegon se "UNESCO nuk ka thënë që lahuta është serbe, por ka thënë që Serbia ka regjistruar guclën dhe këndimin me të. Kjo do të thotë që ata kanë regjistruar atë trashëgimi që kanë në territorin e vet, dhe detyra jonë si shqiptar duke patur parasysh dhe Kosovën dhe kudo që ka shqiptarë, në përputhje me dokumentet dhe me standardet që ka UNESCO për regjistrimin e këtyre dukurive në listë, ne duhet të regjistrojmë pjesën tonë".
"Në studimet tona na rezulton që trashëgimia e kënduar me vegla me një tel dhe me hark siç është gucla në Serbi apo lahuta në territorin tonë është një trashëgimi që gati-gati zotëron gjithë pjesën e Shqipërisë së Veriut, Kosovës dhe ku banojnë shqiptar në Mal të Zi. Ne kemi një detyrim shumë të madh për popullatën shqiptare që kultivon dhe e ka pjesë së identitetit të vet ose ndryshe "kryeidentiteti" eposin dhe lahutën ta regjistrojmë sa më parë në UNESCO. Hapin e kemi hedhur në regjistrimin si listë kombëtare pra e kemi si pjesë në listë kombëtare është detyrim ta regjistrojmë në UNESCO ", përfundon akademiku Vasil Tole.