18 mars 2014 – Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka miratuar dokumentin që pritet të sjellë ulje të mëtejshme të çmimeve të telefonisë celulare. Vendimi i AKEP nis procesin e orientimit në kosto të tarifave të terminimit ose të shumicës.

Tarifat e terminimit janë tarifat që operatorët i paguajnë njëri-tjetrit për çdo thirrje drejt rrjeteve respektive. Ulja e këtyre tarifave i hap rrugë forcimit të konkurrencës dhe rrjedhimisht uljes së tarifave në nivel pakice për përdoruesit e telefonisë së lëvizshme. Duke filluar nga data 1 Prill, tarifat e terminimit do të ulen me tre faza deri sa të arrijnë nivelin 1.48 lekë për minutë, ndërkohë që sot kjo tarifë është 4.57 lekë për “AMC”, “Vodafone” e “Albtelecom” (“Eagle Mobile”) dhe 8.85 lekë për “Plus”.

Vendimi i AKEP pritet t’i japë fund dieferencimit që të thellë që ka ekzistuar në vitet e fundit mes tarifave brenda rrjetit dhe atyre jashtë rrjetit. Për të mbajtur përdoruesit brenda rrjeteve të tyre, operatorët dhe në veçanti ata me pjesë më të madhe në treg, kanë aplikuar tarifa praktikisht nën kosto brenda rrjetit dhe tarifa tejet të larta jashtë rrjetit. Ulja e tarifave të terminimit krijon mundësinë që operatorët të konkurrojnë më shumë edhe për thirrjet drejt rrjeteve të tjera.

Në fakt, kjo tendencë ka nisur prej disa muajsh. Në veçanti, përdoruesit me parapagesë në paketat e ofertave po përfitojnë rritje të ndjeshme të kohës së bisedës jashtë rrjetit, që shkon deri në 500 minuta në muaj. Për përdoruesit nuk është më domosdoshmëri mbajtja e disa numrave celularë, për të folur brenda secilit rrjet.

/RTV Scan/