Një aksident tragjik, me pasojë vdekjen e tre anëtarëve të një familjeje, ka ndodhur sot në mëngjes në aksin Levan-Tepelenë. Ngjarja e rëndë është shënuar në vendin e quajtur Varibop, ku një makinë ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal me ujë, duke iu marrë jetën drejtuesit të mjetit dhe dy pasagjereve, të cilët i përkasin të njëjtës familje.

Policia njoftoi paraprakisht për vdekjen e dy personave, drejtuesit të mjetit dhe një pasagjereje, ndërsa në vijim mësohet se nga aksidenti ka mbetur viktimë dhe një person tjetër, që ndodhej në mjet. Bëhet fjalë për një vajzë të re, e cila ka vdekur së bashku me dy personat e tjerë.

Në vendngjarje kanë shkuar zjarriksja dhe policia, të cilat kanë nxjerrë mjetin nga kanali i ujit, ndërsa vijon puna për të zbardhur shkaqet e këtij aksidenti tragjik.