Është plotësisht zgjedhje personale e shpesh çështje fati, megjithatë kur ke statusin beqar thuajse në çdo vend të botës do të ndeshesh me të njëjtat pyetje “ngacmuese”. Sipas Bella DePaulo, eksperte e marrëdhënieve sociale, ka disa përgjigje që mund të jepni në rast se jeni në një situatë të tillë, herë pas here.

“Më bëhet qejfi që pyete!”

DePaulo në fakt është 71 vjeçe dhe ka qenë beqare tërë jetën e saj. “Jam shumë krenare që nuk e kam presionuar veten për t’u martuar apo për t’i dhënë partnerit një rol qendror në jetën time”, thotë ajo. E konsideron veten “beqare në zemër”, dhe shton se të qenurit e tillë nuk lidhet aspak me lumturinë. “Ne jemi shumë të lumtur, edhe kështu!” Pavarësisht kësaj, njerëzit shpesh përveçse bezdisen nga pyetjet, ndihen të ofenduar. Madje në përgjigjen që japin “detyrohen” të kenë një argument të detajuar. E në fakt kjo gjë nuk ndodh tek të martuarit, askush nuk u kërkon sqarime se pse kanë bërë atë zgjedhje. DePaulo thotë se në momentin që u përgjigjet njerëzve si më sipër, i bën ata të kuptojnë që kanë perceptime tejet të gabuara dhe paragjykuese. “Nuk është fatkeqësi të jesh beqar/e”, thekson ajo.

“Oh, sa komike! Po pyesja dhe unë veten në fakt, pse je akoma i/e martuar?”

Kjo përgjigje në fakt, kërkon guxim! Por DePaulo ju këshillon ta shoqëroni me një buzëqeshje të madhe. “Ata do të kapen plotësisht në befasi“, thotë ajo. Është një përmbysje skenari dhe që e bën tjetrin të mendohet mirë herë tjetër para se të shtrojë pyetje të tilla.

“Çfarë do të thuash me këtë??”

Njerëzit zakonisht fillojnë të belbëzojnë kur u kërkon të ta sqarojnë pyetjen që bënë. Kështu, përgjegjësia e dhënies së një argumenti shkon direkt tek ai që pyeti. Idealja e kësaj do të ishte një vetë-reflektim!

“Oh uau, një pyetje e re! S’ma kishte bërë njeri më përpara.”

Terapistja Fatemeh Farahan që aktualisht jeton në Los Angeloa kaloi vite duke iu përgjigjur pyetjeve të sikletshme. Ajo u martua më “vonë se sa pritej në kulturën e saj iraniane”. “Më dukej sikur të gjithë rreth meje kishin të drejtë të komentonin”, thotë ajo. Sipas saj, forma më e mirë e kundërpërgjigjes është ironia. Mbase duket si element talljeje në bisedë, por vjen në mënyrë më lozonjare. “Ironia e këtij niveli i bën njerëzit të duken edhe budallenj për pyetjet që drejtojnë”, thotë Farahan.

“Nuk po kërkoj reagime apo diskutime mbi statusin tim aktual.”

Kjo është një mënyrë e drejtpërdrejtë për të bërë të qartë se kjo temë nuk ka pse të diskutohet. Mund të duket e ashpër, por për njerëzit që ju bezdisin shërben si “buton urgjence” për të përfunduar aty tendencën e pyetjeve në seri.

“E paske marrë seriozisht jetën time private!”

Sipas terapistes Farahan, ndonjëherë të qenurit beqar duket sikur të kanë ngjitur në një skenë dhe të thonë “jep llogari”, kur të gjithë janë duke parë. Patjetër duhet marrë parasysh edhe raporti që keni me personin që po ua thotë këtë gjë, para se të tregoheni disi “agresivë” në reagimin tuaj.

“Mendoj se universi ende nuk e ka gjetur dikë që është aq i/e mirë sa unë.”

Kjo është një përgjigje e bukur, që tregon vetëbesim. Përcjell tek njerëzit vetëkënaqësi me sigurinë që “personi i duhur do vijë me kalimin e kohës.” Fjalia e thënë me një ton të lehtë dhe e shoqëruar me një nënqeshje të vogël, është perfekte për të gjithë ju që nuk doni të debatoni me njeri.

“Më duket se më kanë mallkuar…”

Kjo frazë do i bëjë njerëzit të mendojnë se ti nuk i merr gjërat aq seriozisht. Vjen në formë “humori të zi”, por zgjidh punë pasi njerëzit as nuk do shqetësohen për mirëqenien tuaj në aspektin romantik. Humori është padyshim, mjeti më i madh i komunikimit!

“Më pëlqen të jem beqar/e!”

Një nga përvojat më irrituese me të cilat përballen beqarët është kur të tjerët refuzojnë t’i besojnë se janë të lumtur. Madje dëgjojnë edhe fraza të tipit: “Ti po mashtron veten”, “Ti thjesht nuk e ke takuar ende personin e duhur”“Ti mendon se je i lumtur tani, por prit derisa…”. Këto janë supozime të gabuara, pasi siç beqaria nuk vlerësohet mjaftueshëm, edhe martesa mund të mbivlerësohet. Nuk ka një formulë specifike që e përcakton njërën më të mirë se tjetrën. Janë eksperienca krejtësisht individuale!