Vërshëlleu për një 11-metërsh të paqenë, pezullohet përjetësisht nga FIFA. Ky është dënimi i rëndë që ka marrë gjyqtari Joseph Lamptey nga Komiteti i Etikës në qeverinë e futbollit botëror, pas akuzave për përfshirjen në trukimin e ndeshjes Afrikë e Jugut-Senegal 2-1, e luajtur Nëntorin e kaluar për eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018”. Gjyqtari ganez u shpall fajtor për tentativë në ndikimin e rezultatit të ndeshjes, i parashikuar nga neni 69, pika 1, në Kodin e Disiplinës Sportive të FIFA-s. Episodi që fundosi Joseph Lamptey ndodhi në minutën e 41-të, kur sinjalizoi për 11-metërsh për prekje të topit me dorë nga Koulibaly, lojtar që luan me Napolin në Serinë A.
Pamjet tregojnë qartësisht që nuk ka asnjë ndërhyrje të parregullt, por pavarësisht protestave të lojtarëve të Senegalit, gjyqtari ka këmbëngulur në të tijën, duke akorduar 11-metërsh. Është cliruar nga akuzat anësori Nii Lartey Laryea, pasi nuk janë gjetur fakte që e përfshijnë në tentativën për të paracaktuar rezultatin e ndeshjes. Nuk është ende e qartë nëse ndeshja Afrikë e Jugut – Senegal do të përsëritet, ndërsa gjyqtari Lamptey mund t’i drejtohet Apelit pranë FIFA-s dhe më pas Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv nëse këmbëngul për pafajësinë e tij.