Artistët e cirkut shqiptar, Fiqiri Luli dhe Sabina Troshku janë dy fitues të një talent show “Albanian got talent”. Djaloshi me trupin elastik mahniti të gjithë shqiptarët me performancën e tij artistike, gjë që u vlerësua nga organizatorët e një emisioni në kërkim të talenteve të reja me 20 mijë euro. Tani Fiqiri Luli dhe Sabina Troshku si pjesëtarë të cirkut të Tiranës do të prekin edhe skenën botërore.
Një juri ndërkombëtare ka përzgjedhur mes mijëra akrobatëve dhe artistëve të cirkut performancën e dy akrobatëve shqiptarë për t’u përfaqësuar për herë të parë në eventin më të rëndësishëm të cirkut të botës në Francë. Të dy të rinjtë akrobatë shprehen se akoma nuk e besojnë dhe gjithçka ka ndodhur, u duket si një ëndërr. “Këto ditë që kemi filluar provat kemi filluar ta besojmë se na duket ëndërr”- thotë Sabina Troshku. Ndërsa Fiqiri Luli si fitues mendon se do të arrijë të marrë një çmim. “Kur të marr medalje do t’u them faleminderit për ftesën dhe për medaljen”- thotë Luli. Ndërkaq profesori i njohur i cirkut Pavli Sallata, trajneri i Lulit dhe Troshkut, shprehet se kjo është surpriza më e bukur dhe shpërblimi i një karriere të gjatë në cirkun shqiptar.
Një hop cilësor në zhvillimin profesional të artistëve të cirkut është padyshim përgatitja e talenteve të reja, të cilët në vazhdimësi bënë përtëritjen edhe vazhdimin e traditës të cirkut tonë, duke nxjerrë një plejadë të mrekullueshme artistësh të cirkut. Fiqiri Luli dhe Sabina Troshku janë vazhdimorganik i pandarë i mjeshtrave të mëdhenj, krijuesve dhe debutuesve ndër vite të cirkut shqiptar me në krye babanë e cirkut, “Artistin e Popullit”, Telat Agolli, Mjeshtrin e kllounatës dhe të humorit, “Artistin e Popullit”, Skënder Sallakun, duke vazhduar me V.Sallakun, A. Milukun, Selimin, B. Radan, Pinan dhe Pineo Shkurtin, Allan, Bodinakun, Kurtin, Shakan, Ahmetin, Minxhollin, Petrelan, Gjocan, Agarajn, Sallatan, Rroshin, B. Agollin, Hysenin, Nikajn, Papanikollan, Jucan, Ristanin, Plasarin, Buzon, Xhanin, Dumin, B.Agollin etj.