27 dhjetor 2014 – Një autobus me 57 pasagjerë ka rënë në greminë gjatë udhëtimit të tij të kthimit nga Kroacia për në Shqipëri, në autostradën Bar-Tivar në Malin e Zi. Një person ka humbur jetën, katër të tjerë janë në luftë me vdekjen, 13 udhëtarë të tjerë gjithashtu janë plagosur dhe pjesa tjetër e pasagjerëve kanë marrë plagë të lehta.
Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të policisë së Shtetit së Malit të Zi, raporton bashkëpunëtori i NOA.al në Podgoricë.
Autobusi me targa të Shqipërisë AA 581 JX, po kthehej nga Dubrovniku, kur shoferi ka humbur kontrollin duke dalë nga rruga dhe përfunduar disa metra poshtë saj në greminë. Në fotot shihni pamjet pas ngjarjes.
Dëshmitarët thanë se ngjarja ndodhi në vendin e quajtur Ura e Kamenicës, tek Fusha e Mërkotit (Mrkojevicko polje) në autostradën Bar (Ulqin)-Tivar. Sipas tyre, shoferi i autobusit ishte përpjekur të shmangte përplasjen me një makinë ndaj kishte devijuar duke dalë nga rruga.
Lajmi u konfirmua për NOA edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme të Shqipërisë. Burime zyrtare nga MPB i thanë agjencisë NOA se “autobusi me targa “AA581JX”, me drejtues shtetasin Shkëlqim Cali dhe afërsisht 57 pasagjerë në bord ka qenë duke u kthyer nga Dubrovnik në Kroaci”.
Në segmentin rrugor Ulqin-Tivar autobusi ka dalë nga rruga dhe për pasojë ka gjetur vdekjen shtetasja I.K., 25 vjeçe nga Tropoja.
Katër pasagjerë janë dërguar me urgjencë në spital në Podgoricë pasi kanë qenë në gjendje të rëndë për jetën.
Ndërkohë, 13 pasagjerë të tjerë janë në spitalin e Tivarit ku po marrin mjekim e duhur.
Gjithashtu janë plagosur lehtë edhe të gjithë pasagjerët e tjerë, por pa rrezik jete. “Ndërsa pjesa tjetër e pasagjerëve janë jashtë rrezikut për jetën me dëmtime të lehta”, – konfirmoi ministria shqiptare e Punëve të Brendshme.
Ministria e Punëve të Brendshme ka dërguar në Malin e Zi drejtues të policisë së Shkodrës për të ndjekur nga afër situatën dhe marrë më shumë informacion lidhur me ngjarjen. Po ashtu MPB thotë se është duke mbajtur kontakte të vazhdueshme me Ministrinë e Brendshme të Malit të Zi.
Nga të dhënat e para mediat malazeze raportuan se një fëmijë kishte vdekur në aksident. Më tej u mësua se fëmija kishte mbetur i bllokuar në autobus dhe u arrit të nxirrej i gjallë dhe u dërgua në spital.
Burime të ndryshme thonë se në autobusin e kompanisë Klid Ballkan, gjendeshin 57 udhëtarë. Ata kishin udhëtuar nga Shqipëria drejt Dubrovnikut në Kroaci më 24 dhjetor dhe kishin festuar Krishtlindjet ndërsa sot po ktheheshin në Shqipëri pas guidës me një agjenci turistike nga Shkodra, Kalemi Travel.
Në Malin e Zi ka udhëtuar ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj si dhe disa zyrtarë të policisë së Shkodrës.
Të plagosur që gjenden në spitalin Bllazo Orlandiq të Tivarit:
Remzi Nurka
Jarina Radovani
Aleks Manoli
Jomida Deda, Arber Taledhy
Jani Qendro
Ermal Dhembo
Kaca Nurina
Sheri Reka
Edona Mulla
Jymir Xatoksi
Eralda Meho
Durja Canaj
Ndue Camaj
Ariela Qendro
Kristofor Moviti
Fet Sibela
Klevik Peskani
Irena Nurka
Nesad Didrek
Kriselda Veizi
Marika Hormoviti Camaj
Luljeta Ndreu
Iman Kaca
Leonora Ndreu
Neshat Ndreu
Ejdon Kuca
Elisa Kuca
Enadija Kuca
Doruntina Kuca.
Familjarët e interesuar mund te kontaktojnë ne nr e cel Mali i Zi: +38269822304 dhe Shqipëri: +355676060502





