Vëllai i madh i Lionel Messi është arrestuar për mbajtje pa leje të armëve të zjarrit. Matis, 35-vjeçar, në momentin e arrestimit gjendej në një klinikë në Rosario, ku qëndronte i shtruar për shkak të një dëmtimi të pësuar gjatë një aksidenti detar, në të cilin kishte pësuar fraktura në nofull, në hundë dhe dëmtime të tjera në fytyrë.
Ai rrezikon tashmë 3 vite e gjysmë burg, që është edhe dënimi minimal për këtë lloj krimi. Për të njëjtin krim ai ka vuajtur më parë dy muaj liri me kusht për armëmbajtje pa leje. Sipas asaj që raportohet nga mediat argjentinase, pistoleta e një kalibri 38, e gjetur nga policia gjatë hetimit në varkën e vëllati të Messit, ishte gati për të qëlluar, me një fishek në fole dhe gjashtë në karikator.
Prokurori ka bërë me dije se Matias Messi do të qëndrojë në spital nën vëzhgimin e forcave të policisë, dhe në momentin që do të jetë rehabilituar, ai do të mund t’i nënshtrohet një mase paraprake dënimi, deri pas gjykimit të çështjes, kur edhe do të merret vendimi përfundimtar. Gjasat janë që ai të mbahet në burg, për shkak se konsiderohet të ketë burimet për t’u larguar ose për të penguar procesin.
Hetimi nisi ditën e enjte kur Matias Messi u përfshi në një aksident detar, pasi goditi një pengesë rëre dhe u transportua në Fighiera, një qytezë rreth 35 kilometra nga Rosario. Në mjetin lundrues të Matias Messi, i cili rezulton i paregjistruar, u gjendën disa njolla gjaku.
Avokati i familjes Messi, deklaroi se varka nuk është e Matias dhe mohoi ekzistencën e armës së zjarrit.





