Një aksident tragjik ndodhi ditën e djeshme në Itali, ku humbi jetën një shqiptar. Xhavit Halilaj, 65 vjeç, ndërroi jetë pasi u përplas nga një kamion.
Sipas dinamikës së ngjarjes, aksidenti i rëndë ndodhi rreth orës 15:00, kur Halilaj, i cili punonte për një kompani në San Vendemiano, kishte ndaluar me kamionçinën e tij në korsinë e emergjencës së bashku me një makinë tjetër.

Dy shoferët kanë qenë jashtë makinave për të kontrolluar një problem që kishin, kur një kamion ka ardhur në drejtimin e tyre duke i goditur.
Fatkeqësisht shqiptari humbi jetën menjëherë në vendin e ngjarjes. Tre persona të tjerë ndërkohë u plagosën, por jashtë rrezikut për jetën.
