Një aksident me pasojë vdekjen e një 53-vjeçari ka ndodhur paraditen e sotme në aksin Delvinë-Kardhiq.

Viktima është identifikuar si shtetasi Astrit Lamaj nga Durrësi.

DurrësLajm” mëson se ka qenë një grup motoristësh që po udhëtonin me motorë drejt Greqisë, kur në vendin e quajtur “Kthesa e Senicës” në aksin rrugor “Skërficë-Fushë Vërri”, 53-vjeçari është përplasur me barrierat mbrojtëse dhe ka dalë nga rruga.

Fatkeqësisht Astrit Lamaj nuk mudi t’i mbijetojë aksidentit që rezultoi fatal për të.

Shokët e tij motoristë që e shoqëronin në këtë udhëtim, thonë për “DurrësLajm” se në rrugë kishte prezencë vaji çka ka shkaktuar dhe përplasjen e Lamajs ndërkohë që janë rrëzuar edhe motoristë të tjerë, por fatmirësisht pa pasoja për jetën. Ata e ngrenë këtë problematikë duke iu bërë thirrje autoriteteve të marrin masa kundra personave përgjegjës që mund të kenë derdhur vajin, pasi kjo situatë mund të vazhdojë të marrë jetë njerëzish.

Policia ka nisur punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

Informacioni paraprak i policisë:

Sot rreth orës 11:30, në aksin rrugor “Skërficë-Fushë Vërri”, gjatë lëvizjes së një grupi motorristësh, njëri prej motomjeteve që drejtohej nga shtetasi A. L., 53 vjeç, banues në Durrës, është përplasur me barrierat mbrojtëse të rrugës dhe ka dalë nga rruga. Për pasojë ka ndërruar jetë drejtuesi i motomjetit shtetasi A. L.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, ku paraprakisht dyshohet se 53-vjecari ka humbur kontrollin mbi drejtimin e motomjetit.